Ndërlidhjet

Demolli: Pritet konsensus për zonat zgjedhore


Haki Demolli
Haki Demolli

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Demolli, ju po kryesoni Komisionin për Reformën Zgjedhore. Çfarë pritet të sjellë në fund si rezultat puna e këtij komisioni?

HAKI DEMOLLI
Unë jam kryesues i Komisionit për ndryshime në Ligjin mbi zgjedhjet. Ndonëse në shumë vende është fjala për reformë zgjedhore, unë zakonisht kam thënë se kemi të bëjmë, jo me ndonjë reformë të thelluar, por thjesht kemi të bëjmë me ndryshimin e Ligjit mbi zgjedhjet, sepse sikur të ishte reformuar tërë sistemi zgjedhor, atëherë do të nënkuptonte të kishim edhe një kodifikim të dispozitave ligjore, me të cilat rregullohet procesi i zgjedhjeve dhe thënë të drejtën ne presim disa ndryshime që do të evitojnë mundësitë e keqpërdorimeve që janë paraqitur në zgjedhjet e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka ndonjë konsensus mes partive politike sa u takon çështjeve të diskutuara deri më tash?

HAKI DEMOLLI
Në përgjithësi, kemi çështje të ndryshme që kemi trajtuar. Kemi disa çështje që janë të karakterit juridiko-kushtetues, për të cilat thuajse ka pasur konsensus mes përfaqësuesve të partive politike në kuadër të komisionit. Gjithashtu, kemi disa çështje që pak a shumë janë të karakterit politik, siç është për shembull numri i zonave dhe listat e hapura apo të mbyllura, edhe pse kemi diskutuar mjaft për këto dy çështje që mbase janë çështjet më problematike, me të cilat po ballafaqohet vetë komisioni, deri më tani nuk kemi një konsensus.

Madje, kemi përgjigje, respektivisht kemi propozime nga përfaqësues të anëtarëve të ndryshëm të partive politike që janë mjaft divergjente mes vete.

RADIO EVROPA E LIRË
Partitë politike kanë dhënë opsione të ndryshme në lidhje me zonat zgjedhore dhe numrin e tyre. Do të ketë Kosova një apo më shumë zona zgjedhore?

HAKI DEMOLLI
Pikërisht kur thashë kemi përgjigje apo propozime divergjente nga përfaqësues të subjekteve politike, mendova në zona. Në njërin prej takimeve të grupit punues zgjedhor ku janë kërkuar propozimet e subjekteve politike respektivisht nga përfaqësues të tyre, kemi pasur propozime të tilla që disa subjekte politike kanë qenë për një zonë të vetme zgjedhore. Ka pasur një propozim për 6 plus, respektivisht 6 zona e më tepër dhe propozimi tjetër ka qenë për 10 plus dhe kemi pasur një propozim prej 26 zonash dhe tjetri prej 100 zonash.

Do të thotë kur e shikojmë në aspektin numerik, shihet se ka një diference mjaft të madhe prej një deri në 100, por ne si çështje, këtë e kemi trajtuar. Do të shohim që, eventualisht, subjektet politike të arrijnë një lloj konsensusi për të gjetur një numër më të përshtatshëm të zonave që do të kemi në të ardhmen. Besoj se do të ketë më shumë se një zonë, edhe pse disa prej subjekteve të vogla politike siç është p.sh SLS-ja, pastaj Lëvizja Vetëvendosje që nuk është subjekt i vogël politik kanë dhënë propozime për 1 zonë zgjedhore, kurse subjektet tjera kanë pasur prej 6 -100 zona.

Jam i vetëdijshëm se subjektet politike mund të gjejnë konsensus për çështje shumë më të rënda politike edhe të natyrës shumë më të rëndë, prandaj do të ketë një lloj konsensusi. Se cili do të jetë, do të shohim ndërkohë. Por, besoj se do të ketë bisedime në këtë drejtim dhe do të gjendet numri i saktë i zonave që do të propozohet në komision, pastaj komisioni do t’ia procedojë më tutje Kuvendit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zgjedhjet e fundit të përgjithshme, sikurse edhe ato lokale, janë përcjellë me shumë parregullsi. Sa mendoni se me ndryshimet në sistemin zgjedhor do të evitohen këto parregullsi?

HAKI DEMOLLI
E kam theksuar se jo të gjitha keqpërdorimet dhe shkeljet që janë paraqitur në procesin zgjedhor, kanë qenë si pasojë e dispozitave ligjore. Mirëpo, ne, si komision, jemi fokusuar në tri çështje kryesore që mendojmë se kanë si shkaqe apo si burime të keqpërdorimeve. Listat zgjedhore, procesi i votimit, respektivisht identifikimit të votuesve dhe procesi i numërimit të votave.

Ne jemi fokusuar mjaft te këto tri çështje dhe mendojmë që me përmirësimin e dispozitave ligjore lidhur me këto çështje, në të ardhmen do të reduktohet mundësia e keqpërdorimeve respektivisht të reduktohen keqpërdorimet.

RADIO EVROPA E LIRË
Është paraparë që Komisioni për Reformën Zgjedhore t’i dorëzojë Kuvendit rekomandimet në muajin mars. Sa jeni optimist që kjo do të realizohet?

HAKI DEMOLLI
Ne, si komision, kur jemi themeluar nga ana e Kuvendit të Kosovës, kemi pasur mandatin 8-12 muaj, jemi konstituuar në fillim të majit, respektivisht jemi themeluar në prill dhe mendoj se në kuadër të mandatit tonë kohor do t’ia dorëzojmë Kuvendit amendamentet përkatëse të ligjit mbi zgjedhjet.

Faktikisht, tani për tani, jemi në fazën e tretë, sepse me fazën e dytë të debatimit kemi përfunduar. Në javën e ardhshme do të kemi një takim të radhës të komisionit ku do t’i kemi rekomandimet e grupit punues zgjedhor me ç’ka edhe i marrim rekomandimet e fundit nga ky grup punues. Kështu që, gjatë këtyre tre muajve kemi fazën e përpilimit të amendamenteve, të cilat do t’i bëjë grupi draftues që është në kuadër të komisionit tonë dhe mendoj që fundi i marsit fillimi apo prillit do të jetë koha kur ne do t’i dorëzojmë amendamentet.
XS
SM
MD
LG