Ndërlidhjet

WP: Obama mbyll kapitullin e 11 shtatorit


Barak Obama - foto nga arkivi
Barak Obama - foto nga arkivi
"Washington Post"

Kur i pyet zyrtarët e administratës së presidentit Barak Obama që të shpjegojnë agjendën e politikës së jashtme për vitin 2012, ata fillimisht përmendin buxhetin e mbrojtjes.

Ajo është pika që ata duan ta veçojnë në strategjinë e Shteteve të Bashkuara - larg luftës në Irak dhe Afganistan dhe drejt prioriteteve të shekullit XXI të Kinës dhe Paqësorit.

Për të nënvizuar rëndësinë e këtij balancimi të sërishëm, presidenti Obama shkoi të enjten në Pentagon për shpalljen e buxhetit. Ai filloi duke deklaruar fitoren në atë që dikur njihej si "luftë të gjatë", duke ofruar një varg frazash lamtumirëse, si: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e kthejnë faqen në një dekadë luftërash”, pastaj ‘Ne kemi pasur sukses në mbrojtjen e kombit tonë’, si dhe shprehja tjetër “Vala e luftës është duke u larguar’.

Retorika rreth strategjive të reja është një tarifë standarde, veçanërisht në vitin kur mbahen zgjedhjet.

Por, këto deklarata duhet marrë seriozisht. Shkurtimet e buxhetit të Pentagonit do të kenë ndikim në vend dhe jashtë vendit. Ato shënojnë një ndryshim të vërtetë, një prej më të rëndësishmëve që nga viti 1945.

Çfarë do të ndryshojë? Fillimisht, administrata do të zvogëlojë forcat tokësore, sepse nuk pret një Irak apo Afganistan të ri. Është e qartë se është herët të deklarohet fitorja në Afganistan, kur lufta atje është larg fundit.

Por, Shtëpia e Bardhë mendon se mund ta luajë përfundimin e lojës në mënyrë efektive, edhe në qoftë se ka një tërheqje të qëndrueshme të trupave.

Ishte e lehtë ta huqje ndikimin e fjalëve të Obamës: Ai po deklaronte se periudha, e cila filloi më 11 shtator të vitit 2001, ka përfunduar. Lideri kryesor i Al-Kaidës ka vdekur dhe shumica prej kuadrove të saj janë në arrati, ndërsa bisedimet sekrete paqësore me talibanët janë në proces e sipër.

Ndërsa, në Botën Arabe, Shtetet e Bashkuara po bisedojnë me Vëllazërinë Myslimane dhe organizatat salafiste, që para disa viteve mund të ishin në listën e terroristëve. Është një proces që është i ngjashëm me mënyrën se si Britania përfundoi luftën e gjatë me terroristët irlandezë, duke u angazhuar në negociata me krahun politik të IRA-s.

Çka tjetër nënkupton ky ndryshim? Fokusimi në Paqësor do të thotë se trupat amerikane të NATO-s do të vijnë në shtëpi nga Evropa, me siguri më shumë sesa pritet. Dhe, duke marrë parasysh ankthet e fundit ekonomike, Evropa mund të ndihet e braktisur. Po gjermanët, a do të përgjigjen duke tërhequr më afër Rusinë?

Plani i Obamës e kthen fuqinë amerikane drejt Kinës dhe Pekini është natyrisht në ankth. Zyrtarët amerikanë vazhdimisht e përsërisin se kjo nuk nënkupton një politikë të izolimit dhe se SHBA-ja pranon një Kinë në rritje, si një pashmangshmëri të shekullit XXI.

Përderisa Shtetet e Bashkuara ndryshojnë prioritetet e mbrojtjes, dy karta të vështira mbeten Pakistani dhe Irani, dy vende që duket se janë burim i pashtershëm i anti-amerikanizimit.

Për herë të parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk po bënin përpjekje që ta mësonin Pakistanin për ta mbrojtur rrugën e ‘status quo-s”. Kjo është një gjë e mirë, por Uashingtonit ende i duhet një marrëdhënie bashkëpunuese me Islamabadin, veçanërisht në zgjidhjen e konfliktit në Afganistan.

Sa i përket iranianëve, ata duket se për herë të parë ndër vite janë në ankth - jo për shkak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo Izraelit, por për shkak se sanksionet ekonomike po shkaktojnë fillimin e një paniku financiar në Teheran. Në të njëjtën kohë, regjimi iranian mund të jetë me të vërtetë në rrezik. Ky është një skenar, për të cilin Shtëpia e Bardhë duhet ta mendojë me kujdes bashkë me aleatët e saj. Në qoftë se kursi i tanishëm vazhdon kështu, atëherë pritet një përplasje me Iranin.

Do t’i shohim hollësitë e shkurtimeve buxhetore të Pentagonit në javët e ardhshme dhe ankesat nga Kongresi, lënë anash Evropën dhe Kinën, do të fillojnë shumë shpejt. A nuk mendoni se kjo është një përsëritje e marrëzive të zakonshme buxhetore? Shpallja e buxhetit ditën e enjte shënoi një ndryshim të vërtetë, me pasoja të mëdha strategjike.(v.k.)
XS
SM
MD
LG