Ndërlidhjet

Rona Nishliu do të prezantojë Shqipërinë në festivalin evropian të këngës "Eurosong", i cili këtë vit do të mbahet në Baku të Azerbajxhanit. Kënga e titulluar "Suus" është vlerësuar nga juria si këngë e punuar në mënyrë profesionale dhe e realizuar shumë mirë artistikisht. Rrona Nishliu, kosovarja e vetme pjesëmarrëse në festivalin e 50-të të Radio Televizionit të Shqipërisë, la pas 20 këngë të tjera duke rrëmbyer trofeun për të vazhduar tutje. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Rona premton se do t’i prezantojë denjësisht gjithë shqiptarët në të gjitha trevat ku janë ata.



RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni kosovarja e parë që do ta përfaqësoni Shqipërinë në "Eurosong". Çka do të thotë kjo për ju?

RONA NISHLIU
Është nder i veçantë që do të jem atje - do të jem përfaqësuesja e dy shteteve dhe një kombi. Do të mundohem t’i përfaqësoj denjësisht të gjithë shqiptarët në të gjitha trevat ku janë ata dhe do të mundohem të bëj më të mirën për një prezantim sa më dinjitoz.

RADIO EVROPA E LIRË
Kënga "Suus" ka ngritur debate të shumta, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duke u diskutuar se në "Eurosong" kërkohen këngë më ritmike?

RONA NISHLIU
Për mua secila kritikë pozitive dhe negative, është e rëndësishme, sidoqoftë kënga është ajo që është dhe unë besoj jashtëzakonisht shumë në të, ashtu siç kam besuar gjatë konkurrimit. Synimi është prezantimi sa më i denjë, dhe unë zakonisht kur kam punuar, nuk kam punuar me këngë vardisëse dhe nuk i jam përshtatur kornizave të festivaleve ose ngjarjeve ku kam marrë pjesë. Kam prezantuar veten ashtu si di ta bëj më së miri dhe si është më së miri.

Nuk e di se cilat janë ato këngë adekuate të Eurovizionit dhe mendoj që kënga "Suus" më prezanton mua dhe bashkëpunëtorët e mi jashtëzakonisht mirë. Besoj se do të jap një imazh të mirë edhe për vendin, të cilin e prezantoj.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni shumë punë para se të prezantoheni në skenë, duke e marrë parasysh që shtetet pjesëmarrëse në festivalin evropian "Eurosong", i kushtojnë shumë rëndësi edhe publicitetit, për këngët e tyre? A do të bëhet një gjë e tillë edhe me ju dhe ekipin tuaj?

RONA NISHLIU
Është një ekip i tërë që do të punojë, për çdo fazë të punës, nuk është versioni përfundimtar i këngës, apo videoklipi. Janë edhe shumë e shumë faza të tjera që unë do t’i publikoj me kohë, dhe po ju siguroj për një gjë - do të bëhet punë intensive dhe më e mira, për të bërë një prezantim sa më të mirë të mundshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Rona, a prisni të shkoni në finale?

RONA NISHLIU
Dua ta përsëris vetveten, nuk besoj që puna e mirë, e sinqertë dhe me shumë dashuri ndonjëherë nuk është vlerësuar. Unë synoj më të mirën, prandaj edhe po bëj përgatitje intensive duke planifikuar çdo detaj të mundshëm jo vetëm unë, por edhe ekipi që është përkrah meje.


  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG