Ndërlidhjet

Me shumë sfida dhe shumë prioritete nisi edhe ky vit për institucionet kosovare dhe ato ndërkombëtare në vend.

Karshi integrimit të veriut të Kosovës, si çështje që thuhet se varet më shumë nga zhvillimet politike në Prishtinë e Beograd, puna e autoriteteve kosovare dhe e Zyrës Civile Ndërkombëtare duhet të ketë në fokus të vëmendjes edhe projektligjin për Hoçën e Madhe dhe atë për Qendrën Historike të Prizrenit.

Kështu, të paktën, thonë deputetët e Kuvendit të Kosovës me vlerësimin se projektligjet në fjalë kanë sfiduar në masë të madhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Pakon e presidentit Ahtisari.

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, thotë se këto dy projektligje kundërshtojnë dokumentin më të lartë juridik të vendit.
Ligji për Hoçën e Madhe dhe Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit janë dy ligje që kanë sfiduar edhe Kushtetutën e Kosovës...

“Ligji për Hoçën e Madhe dhe Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit janë dy ligje që kanë sfiduar edhe Kushtetutën e Kosovës, e cila është komplet me pjesën e Pakos së Ahtisarit në të dhe kundërshtojnë Kushtetutën pikërisht sepse me Pakon e Ahtisarit thuhet se duhet të ketë një ligj që do ta rregullojë trashëgiminë kulturore”.

“Tash, në këtë ketë aspekt, e kemi dy çështje, të Hoçës edhe të Prizrenit, të cilat nuk duhet të rregullohen me ligj, sepse në aneksin 5 të pakos gjithëpërfshirëse thuhet se Qendra Historike e Prizrenit duhet të rregullohet me një rregullore të komunës për mbrojtje dhe tani këto kanë ardhur si ligje dhe na kanë sfiduar të gjithëve”, thotë Hasani.

Projektligji për Hoçën e Madhe dhe ai për Qendrën Historike të Prizrenit parashohin më tepër fuqi juridike në administrimin e shumë pronave për Kishën Ortodokse në qendër të Prizrenit.

Kjo, sipas Hasanit, është e padrejtë pasi që, siç shprehet ai, monumentet e trashëgimisë kulturore u takojnë të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

“Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë vazhdimisht që të ndryshojmë këtë karakter, sepse ajo trashëgimi është e qytetarëve të Kosovës, është e shqiptarëve është e serbëve, është e turqve, është e romëve, është e boshnjakëve, e të gjithëve dhe nuk është një trashëgimi kulturore që do ta përcaktojë një etnitet i përcaktuar”, shprehet Hasani.

Edhe Arben Gashi, kryetar i Komisionit për legjislacion, thotë se disa nene të projektligjeve që pritet të miratohen, janë në kundërshtim në Kushtetutën e Kosovës.
Këtu kemi disa çështje, që nene të caktuara, ka dyshime që mund të kenë problematika edhe me Kushtetutën edhe me Pakon e Ahtisarit, sidomos Ligji për Hoçën e Madhe dhe Ligji për Prizrenin...

“Parimisht, nuk mund të themi se një ligj apo një ligj tjetër është në kundërshtim me Pakon e Ahtisaarit ose Kushtetutën, përderisa nuk prek substancën e organizimit funksional dhe territorial e administrativ të shtetit. Mirëpo, këtu kemi disa çështje, që nene të caktuara, ka dyshime që mund të kenë problematika edhe me Kushtetutën edhe me Pakon e Ahtisarit, sidomos Ligji për Hoçën e Madhe dhe Ligji për Prizrenin”, sqaron Gashi.

Projektligjet në fjalë figurojnë në listën e atyre ligjeve që burojnë nga Plani i Ahtisarit, miratimi i të cilave thuhet se është i nevojshëm në rrugën drejt përfundimit të periudhës tranzitore të pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën.

Mirëpo, përmbajtjen e këtyre dy projektligjeve e kundërshtojnë edhe deputetët e Vetëvendosjes.

Ata thonë se Qeveria e Kosovës ka dështuar që, me kohë, të sjellë projektligjet për miratim në Kuvend dhe se tani edhe këto dy projektligje pritet të miratohen në mënyrë të përshpejtuar.

Anëtarja e Komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se nuk është numri i ligjeve ai që e përmirëson jetën e qytetarit, por se duhet t’i kushtohet rëndësi cilësisë së tyre.

“Kuvendi nuk duhet të miratojë ligje, të cilat pas një viti duhet të rishikohen. Kuvendi, gjithashtu, nuk është në gjendje të miratojë ligje vetëm se i duhen dikujt, mirëpo duhet të miratojë ligje që janë të nevojshme dhe të implementueshme që rregullojnë mirëqenien e qytetarëve. Të gjitha ligjet, të cilat ne i kemi votuar, kanë qenë ligje që ne kemi menduar se do ta rregullojnë mirëqenien e qytetarit dhe nuk jemi lidhur me atë se a e kanë sfiduar apo jo Pakon e Ahtisarti”, thotë Haxhiu.

Miratimi i projektligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe atij për Hoçën e Madhe është paraparë të bëhet më 23 janar, vetëm një ditë para se Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën të diskutojë për nivelin e përmbushjes së obligimeve që ka Prishtina zyrtare ndaj Propozimit gjithëpërfshirës të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisaari.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG