Ndërlidhjet

Maqedonia mbetet e përkushtuar për realizimin e aspiratave për t’u anëtarësuar në strukturat veri-atlantike, pavarësisht sfidave politike që bëjnë të ngecë ky proces, përderisa nuk zgjidhet çështja e emrit me Greqinë, thekson ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Fatmir Besimi.

“Maqedonia, orientimin e saj për t’u anëtarësuar në NATO, e ka pa dilema, punën të cilën e bëjmë është pa dilema përkushtimi i Maqedonisë për ta tejkaluar këtë sfidë që ka të bëjë me zgjidhjen e kontestit të emrit me fqinjin jugor, Greqinë, do të jetë maksimal. Ndërsa, samiti i ardhshëm i NATO-s në Çikago mund të jetë një nga momentet që mund ta shënojë këtë sukses për vendin”, thotë Besimi.

Sipas Besimit, dinamika e reformave në këtë dikaster do të jetë edhe më e theksuar këtë vit, sepse anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të reflektojë stabilitet jo vetëm për vendin, por për tërë rajonin në përgjithësi. Në këtë drejtim, ministri Besimi fokuson intensifikimin e bashkëpunimit me vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Kosovën.
Fatmir Besimi

Fatmir Besimi


“Kemi ofruar të gjitha kapacitete që disponon Maqedonia, siç është Akademia Ushtarake, si dhe Qendra Stërvitore ‘Krivollak’, që tashmë realizohet dhe në praktikë, me ç’rast është dhe një përvojë konkrete e ushtarëve të Kosovës që të marrin pjesë në misionet ndërkombëtare, së bashku me ushtarët nga Maqedonia , Shqipëria dhe vendet tjera të rajonit. Ky bashkëpunim do të vazhdojë me një intensitet edhe me të theksuar, sepse është interes i Maqedonisë që edhe vendet tjera të rajonit të jenë pjesë e NATO-s, si garanci e stabilitet. Gjithsesi, ky stabilitet të ofrojë edhe mundësi më të mira për zhvillimin ekonomik, në përgjithësi, për tërë rajonin”, shprehet Besimi.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Veri-atlantik në Maqedoni, Llazar Elenovski, ish- ministër i Mbrojtjes, thotë se mbetet edhe shumë punë në realizimin e reformave në të gjitha vendet e rajonit, të cilat aspirojnë strukturat veri-atlantike.

Sipas tij, kërcënues për stabilitetin në përgjithësi, mbetet korrupsioni dhe krimi i organizuar.

“Problem kryesor në rajon edhe më tej mbetet krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe të gjitha vendet bashkërisht duhet të angazhohen për realizimin e reformave që këto dukuri të luftohen me sukses. Gjithsesi se Maqedonia i ka përmbushur të gjitha standardet e përcaktuara që nga 2008-ta, por kjo nuk do të thotë se ka përfunduar me realizimin reformave në tërësi. Pra, mbetet edhe shumë punë për të bërë në këtë drejtim”, thekson Elenovski.

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë, Fatmir Besimi, vlerëson se përfshirja e shqiptarëve në këtë dikaster, përpos përfaqësimit adekuat edhe në postet komanduese, kontribuon në lojalitetin e tyre ndaj shtetit, duke paralajmëruar që këtë vit do të emërohet me gradë gjenerali i dytë shqiptar, si dhe marrja e tri posteve komanduese po nga shqiptarët.

“Armata është strukturë komanduese në vendet ku merren vendimet, jepen komandat; duhet të kemi një përfaqësim më adekuat . Jo vetëm pse janë shqiptarë, por ajo është në të mirë të Maqedonisë ngase dikasteri i Mbrojtjes është institucioni më relevant ku mund të rritet besimi ndërmjet etniteteve të ndryshme. Nga kjo nuk do të përfitojnë vetëm shqiptarët, por do të përfitojë Maqedonia ngase rritja e besimit në një institucion siç është armata, do të reflektojë edhe në institucionet tjera të vendit”, konstaton ministri Besimi.
XS
SM
MD
LG