Ndërlidhjet

Pritet fillimi i takimit të Ligës Arabe në Kajro


Ministrat e jashtëm të shteteve të Ligës Arabe pritet të takohen sot për të vlerësuar performansën e misionit të vëzhguesve të Ligës Arabe në Siri.

Misioni, i cili filloi punën në Siri më 26 dhjetor, po shqyrtohet nga kritikët, të cilët vënë në pah se misioni nuk ka arritur të ndalë dhunën që forcat e regjimit sirian po e përdorin kundër protestuesve.

Megjithatë, raportet thonë se takimi i Ligës Arabë në Kajro nuk pritet të rezultojë me kërkesë për kthim prapa të vëzhguesve.

Para takimit, kryeministri i Katarit, sheiku Hamad bin Xhasim al-Tani citohet të ketë thënë se regjimi sirian nuk i ka zbatuar kushtet e planit paqësor të Ligës Arabe. Sipas tij, forcat siriane nuk janë tërhequr nga qytetet dhe nuk ka pasur ndërprerje të vrasjeve.

Ndërkohë, aktivistët thonë se 11 ushtarë sirianë janë vrarë sot gjatë luftimeve me desertorët në provincën Dera.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se më shumë se 5000 njerëz janë vrarë që nga kryengritjet e pranverës së kaluar në Siri, kundër regjimit të presidentit, Bashar al-Asad.
XS
SM
MD
LG