Ndërlidhjet




Shumica e të rinjve kosovarë thonë se kohën e tyre të lirë e kalojnë nëpër kafeteri.
Në rubrikën javore “VOX” të Radios Evropa e Lirë, të rinjtë thonë se nuk kanë alternativa të tjera për ta kaluar kohën e lirë dhe për t’i takuar miqtë e tyre. Kafeteria, për ta, mbetet vendi më i përshtatshëm.

Nura Alkazali, 16 vjeçare shpjegon:

“Është kënaqësi që kohën e lirë ta kalosh në kafeteri, pra kënaqemi. Është e veçantë, andaj ia vlen për të shkuar”.

Laura Xhelili, studente në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se përveç mungesës së alternativave, mungon dhe iniciativa e të rinjve për t’u marrë me ndonjë aktivitet tjetër pos humbjes së kohës nëpër kafeteri.

“Kafeteritë janë bërë, në njëfarë mënyre, vendi i vetëm ku rinia takohet dhe e kalon kohën e lirë - jo se nuk ka vende të tjera apo gjëra të tjera që mund të bëhen, por thjesht mungon iniciativa e tyre. Në anën tjetër, ekziston problemi rreth të hollave. Pra, studentët nuk kanë para për të bërë gjëra të tjera - qoftë për të shkuar në bouling apo në ndonjë kinema”, thotë ajo.

Për problemin e mungesës së të hollave flet dhe një tjetër student. Rrahman Luli vlerëson se kushtet materiale janë ato që u pamundësojnë të rinjve të merren me diçka tjetër. Studentët, sipas tij, mund ta shpenzojnë një euro për të pirë një kafe, por kalimi i kohës së lirë me ndonjë aktivitet që kushton më shumë bëhet i paarsyeshëm për ta.

“Jemi studentë dhe kohën e lirë zakonisht e kalojmë nëpër kafeteri, sepse kushtet janë më të dobëta dhe çmimet e larta. Për këtë arsye”, thotë ai.

Shtrohet pyetja se përse nuk lexohet libri në këtë kohë të lirë?

Rinia kosovare tashmë sa vite ballafaqohet me kritikat e gjeneratave më të vjetra se “është një rini që nuk lexon”.

Arif Gashi thotë se gjendja aktuale ekonomike dhe kushtet e vështira të studentëve u pamundësojnë atyre të merren me leximin e librave të tjerë karshi atyre obliguese.

“Kanë strese shumë-jeta e stresuar, s’kanë para dhe kaq. Nuk mund ta gjejë qetësinë një i ri për të lexuar. Duhet të jesh i kënaqur në aspekte të tjera për të qenë në gjendje që kohën e lirë ta shfrytëzosh për të lexuar ndonjë libër”, vlerëson ai.

Por, sa lexon mesatarisht njeriu që i takon moshës rinore në Kosovë? A e ka libri ende vlerën që ka pasur dikur?

Leonita Kuçi jep idenë e saj se si mund të balancohet shpenzimi i kohës nëpër kafeteri dhe ai për lexim.

“Më së shumti nëpër kafeteri - është një kafeteri ku zakonisht shkojmë. Në kafeteri është mirë të qëndrosh një orë apo një orë e gjysmë për të lexuar pastaj, sepse duke lexuar bëhesh më orator dhe më e shoqërueshme. Nuk është e domosdoshme të lexosh gjatë gjithë kohës dhe të mos dalësh fare nga shtëpia”, shprehet ajo.

Gresa Islami, ndërkaq, flet për humbjen e vlerës së librit në Kosovë.

“Thjesht mendoj që libri, si libër, të cilin mund ta shfletosh mbetet prapë diçka krejt tjetër, ngase e ka një vlerë tjetër. Por, fatkeqësisht te ne, në Kosovë, duket se është harruar kjo - posaçërisht nga të rinjtë. Kur i thua dikujt, ta zëmë, ‘E kam lexuar këtë libër’ të pyesin ‘O ti ke lexuar, ti lexon a?’-Kjo nga përvoja ime”, tregon ajo.

Fajin për këtë, Fisnik Dobreci, ia hedh vetë kulturës familjare në Kosovë. Ai thekson nevojën për një vetëdijesim më të madh fillimisht në familje, e pastaj në shkolla dhe institucione të tjera arsimore.

“Fëmijët te ne nuk mësohen qysh herët që të lexojnë dhe ta bartin një libër me vete, siç ndodh në kulturën evropiane. Te ne, fëmijët mësohen të dalin para lagjes për të luajtur me ‘klikera’. Njerëzit duhet të vetëdijesohen për të lexuar sa më shumë derisa të kuptojnë se nuk është turp ta mbash një libër me vete-qoftë në tualet, qoftë në vende publike apo kudo qofsh”, shprehet ai.

Besim Zeneli është shitës mobil i librave në sheshin qendror të Prishtinës. Ai bën të ditur se brenda ditës shet mesatarisht 10 deri në 20 libra, por thotë se në mesin e blerësve të librave janë pak të rijnë. Zeneli thekson rëndësinë për rifreskimin e bibliotekave nëpër shkolla-proces me të cilin, sipas tij, të rinjtë do të nxiteshin për të lexuar.

“Pak fajin ua hedh edhe mësimdhënësve, edhe profesorëve. Ata duhet të punojnë më shumë dhe t’u ikin shablloneve që i kanë përcjellë brez pas brezi; duhet të preferojnë të lexojnë libra të rinj. Ende, për shembull, lexohet ‘Çeta e profetëve’; ende lexohen disa libra që ndoshta nuk janë më atraktiv për moshën e nxënësve. Problemi është pikërisht te këto gjëra-duhet të përtëriten dhe të freskohen bibliotekat, të ketë risi, tituj të rinj e atraktiv, të përcillen trendët botëror. Pra, duhet të gjendet një mënyrë më e lehtë që edhe nxënësit të lexojnë më shumë”, vlerëson Zeneli.

Optimist për ndryshimin e qasjes së të rinjve ndaj librit shprehet studenti Lirim Mehmetaj, edhe pse e sheh si sfidë për përdorimin e librit avancimin e teknologjisë elektronike.

“Më duket se ka filluar të formohet njëfarë vetëdije për lexim. Unë jam nga Deçani dhe shoh shpesh në autobus kur udhëtoj andej, për rreth dy orë, shoh se ata kanë me vete revista, gazeta ose libra - romane të dashurisë për shembull. Por, po ka filluar të ketë një vetëdijesim, edhe pse është problem me tërë influencat e internetit. Mirëpo, rinia e ka njëfarë qasje edhe për libër”, thotë ai.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG