Ndërlidhjet

WP: Viti i ri, problemet e vjetra


Viti 2011 u karakterizua me protesta të shumta nëpër botë, e që po vazhdojnë edhe sivjet. (Foto nga Bahreini)
Viti 2011 u karakterizua me protesta të shumta nëpër botë, e që po vazhdojnë edhe sivjet. (Foto nga Bahreini)
"Washington Post"

Ka zëra që thonë se bota ka ndryshuar rrënjësisht dhe se çështjet e vjetra nuk do të na merakosin më. Epoka e re ka të bëjë me globalizimin, internetin, shpërndarjen e energjisë, rritjen e Azisë dhe rënien e Perëndimit, fundin e ideologjisë dhe rritjen e pragmatizmit.

Pra, është e vërtetë se bota dhe sistemi ndërkombëtar janë gjithmonë në lëvizje. Megjithatë, disa nga çështjet e vitit të kaluar, vazhdojnë të mbesin “familjare”.

Realistët e politikës së jashtme, e quajnë jorelevant faktin nëse një komb është demokraci apo autokraci. Por, megjithatë, në mesin e çështjeve më të mëdha përgjatë 2012-s do të jenë ato shtete, sistemet politike të të cilave përballen me trazira apo tranzicion.

Në Rusi, pas një paraqitjeje të dobët në zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar, Vladimir Putini do të përballet me zgjedhjet presidenciale që do të mund ta dobësojnë edhe më shumë.

Pa marrë parasysh se si Putini e menaxhon krizën, reagimi i tij do ta modelojë politikën e jashtme ruse dhe do ta ndikojë edhe sistemin ndërkombëtar. Një Rusi më liberale do të jetë më e etur për t’i përqafuar lidhjet më të afërta me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, ashtu sikur edhe rendin ekonomik dhe politik. Një Rusi më autoritare, e sunduar nga dora e hekurt, ka të ngjarë të kthehet në një vend nacionalist dhe të izoluar.

Rendin ndërkombëtar do ta rimodelojnë edhe zhvillimet politike në Siri. Nëse Bashar al-Asad bie, Irani do të bëhet më i izoluar dhe më i cenueshëm. Forcat që mbështet në kufijtë e Izraelit - Hezbollahu dhe Hamasi - do të shfarosen. Në Egjipt, rruga politike e epokës së post-Mubarakut mbetet e pasigurt dhe rreziqet janë të mëdha.

Edhe regjimet e Koresë së Veriut dhe të Birmanisë mbeten në pikëpyetje, me pasoja të rëndësishme strategjike për Kinën, Shtetet e Bashkuara, Japoninë dhe fuqitë e tjera rajonale.

Por, për Azinë ekzistojnë edhe pyetje të tjera. A do ta përdorë Izraeli forcën kundër Iranit? Po Shtetet e Bashkuara? A do të ketë rol në Siri Uashingtoni dhe aleatët e tij, me qëllim mbrojtjen e civilëve - ashtu siç bënë në Libi?

Por, zyrtarët e Pentagonit tashmë flasin për “demilitarizimin” e politikës së jashtme të SHBA-së, çfarë mund të jetë edhe e kuptueshme pas luftërave të gjata në Iran dhe Afganistan.

Megjithatë, viti nuk mund t’i atribuohet vetëm Azisë. Çështje problematike mbetet edhe Evropa, me krizën e saj ekonomike. Pra, është fakt se Evropa mbetet një lojtar i madh dhe me rëndësi jetike. Fakti që shumë vende edhe në këtë kohë duan t’i bashkohen BE-së, është shumë i rëndësishëm. Aftësitë e saj ushtarake, për fat të keq, janë zvogëluar, por edhe kështu Evropa mbetet aleati i Amerikës në kriza të mëdha. Po qe se Evropa bie, goditjet e interesave amerikane do të jenë tronditëse.

Tani për tani, SHBA-ja mbetet lojtarja kryesore në të gjitha rajonet e botës. Mund të ndodhë që Uashingtoni të mos ketë zgjidhje për të gjitha problemet e botës… por, më pas, s’do të ketë kurrë më. Të shumtë janë ata që sot kanë nostalgji për epokën e mbidominimit amerikan, që në fakt nuk ka ekzistuar kurrë.

Por, në muajt e ardhshëm, qoftë fjala për Iranin, Sirinë apo sigurinë në Azi, aktorët e rajonit do të vazhdojnë t’i mbajnë sytë kah Amerika. Dhe, nëse SHBA-ja e dobëson veten me shkurtimet e panevojshme të buxhetit të mbrojtjes, nuk do të ketë zëvendësim për të si një ofruese të sigurisë dhe të mbrojtjes, apo si një sistem të hapur politik dhe ekonomik.(v.t.)
XS
SM
MD
LG