Ndërlidhjet

Dënim për spiunim


Ilustrim
Ilustrim
Agjencia gjysmë zyrtare iraniane e lajmeve, Fars, raportoi se Gjykata Revolucionare e Iranit e ka dënuar shtetasin amerikan, Amir Mirza Hekmati, me vdekje për spiunim për agjencinë CIA.

Raporti i agjencisë Fars, e citon gjyqtarin e Gjykatës Revolucionare, që ka thënë se Amir Mirza Hekmati, do të ekzekutohet për “bashkëpunim me një vend armiqësor”, pasi gjykata ka zbuluar se ai kishte bërë luftë kundër Zotit.

Zyrtarët gjyqësorë të Iranit nuk kanë bërë komente lidhur me këtë vendim.

Hekmati, 28 vjeçar, amerikan me prejardhje iraniane, ishte akuzuar nga Ministria e Inteligjencës e Iranit, se kishte stërvitur në një bazë të Shteteve të Bashkuara në vendet fqinje, Afganistan dhe Irak.

Më herët gjykata kishte njoftuar se Hekmati kishte pranuar se ka pasur lidhje me agjencinë CIA, por gjithashtu ka theksuar se Hekmati kishte mbajtur qëndrim se ai nuk kishte qëllim për ta dëmtuar Iranin.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, në një televizion ishin paraqitur pamje ku Amir Mirza Hekmati, kishte thënë se ai ishte stërvitur për inteligjencë nga ushtria e Shteteve të Bashkuara dhe se ishte dërguar në Teheran, për tu bërë agjent i dyfishtë për agjencinë CIA brenda Ministrisë së inteligjencës së Iranit.

Ja një sentencë e shkurtër nga ky program televiziv iranian.

Emri im është Amir Mirza Hekmati”.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se Hekmati qartas ishte nën detyrim, kur e bëri këtë pranim në videon e xhiruar.

Të afërmit e Hekmatit në Shtetet e Bashkuara thonë, po ashtu, se ai ishte detyruar ta bëjë këtë pranim.

Ata thonë se Hekmati, ish pjesëtar i Marinës së Shteteve të Bashkuara, kishte punuar si përkthyes për ushtrinë amerikane në Afganistan dhe Irak.

Ata thonë se ai kishte shkuar në Teheran për t’i vizituar gjyshet e tij, me ç’rast ishte arrestuar nga autoritetet e Iranit, para katër muajsh.

Në një deklaratë në muajin dhjetor, familja e Hekmatit ishte ankuar se ai nuk kishte proces korrekt gjyqësor.

Në deklaratën e tyre thuhej se i vetmi avokat i tij në Iran ishte personi i caktuar nga qeveria, i cili nuk ishte takuar me Hekmatin deri në ditën e parë të procesi.

Familja e tij thotë se përpjekjet e saj për angazhimin e një avokati, me ç’rast ishin kontaktuar 10 syresh, “kishin qenë të kota”.

Hekmati ishte lindur në Arizonë të Shteteve të Bashkuara dhe kishte diplomuar në një shkollë të lartë të Miçigen.

Babai i tij, Ali Hekmati, është profesor në një kolegj në Flint të Miçigenit.

Ai thotë se djali i tij, nuk është agjent i CIA-s, dhe se familja e tij e kishte kontaktuar Departamentin amerikan të shtetit, shtatorin e kaluar, pasi djali i tij ishte arrestuar.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar lirimin e Hekmatit.

Departamenti amerikan i shtetit tha se Irani nuk i ka lejuar diplomatët nga ambasada e Zvicrës, që i përfaqësojnë interesat amerikane në Teheran, për ta parë Hekatin, para ose gjatë procesit gjyqësor.

Vendimi i sotëm u bë pasi ministri i inteligjencës i Iranit tha se një numër i njerëzve ishin arrestuar me akuza se kanë spiunuar për Shtetet e Bashkuara dhe se janë përpjekur t’i shkatërrojnë zgjedhjet parlamentare të 2 marsit. (f.b.)

XS
SM
MD
LG