Ndërlidhjet

logo-print

Newsweek: Favzia Kofi – presidentja e parë afgane?!


Favzia Kofi

Favzia Kofi

“Newsweek”


Dita kur kishte lindur, ishte dita kur duhej të vdiste. Askush, madje as nëna e saj, nuk donte që ajo të mbijetonte. Arsyeja? Ishte vetëm njëra nga qindra foshnjat e padëshiruara vajza që lindnin çdo ditë në Afganistan.

Ky përshkrim i takon Favzia Kofit, e cila është zëvendëskryetarja e parë femër e Parlamentit afgan.

Në shkrimin e saj autorial për gazetën “Newsweek”, Favzia përshkruan atë që e ka përcjellë që nga ardhja në këtë botë.

“Nëna ime ishte rraskapitur qysh para lindjes sime. Babait tim, të cilin e ndante me gjashtë gra të tjera, i kishte lindur tetë fëmijë”, shkruan Favzia.

Nëna e saj u dëshpërua edhe më shumë, kur burri i saj u martua me një vajzë 14-vjeçare. Kur nusja e tij fëmijë i solli në jetë një djalë, vetëm tre muaj para lindjes së Favzias, e vetmja shpresë e nënës së saj për të ruajtur një pjesë të dashurisë së bashkëshortit, ishte që fëmija që mbante në bark, të ishte djalë.

Gratë e fshatit luftuan shumë për të shpëtuar jetën e saj, pasi kishte lindje të vështirë me Favzian. Por, Favzia u vendos menjëherë jashtë në diell për të vdekur. Ishte vajzë. Ishte fëmija i 19-të i familjes.

Qëndroi me orë të tëra në diell, duke ulëritur nga djegiet që i shkaktonin rrezet lëkurës së saj të njomë, derisa dikush e futi brenda dhe ia dorëzoi së ëmës. E ëma ndihej në faj, por i premtoi vetes se s’do të lejonte asnjë të keqe të prekte më Favzian.

“Nëna ime, një grua fshati, analfabete, u bë heroina e jetës sime. Kur shpërtheu lufta në Afganistan dhe familja ime u shqye në disa pjesë me vdekjen e babait e pastaj edhe të disa anëtarëve të tjerë të familjes, përfshirë vëllezërit e mi, nëna ime ishte ajo që mbajti familjen të bashkuar. Falë vendosmërisë së saj, unë isha fëmija i parë vajzë në familjen time, që më lejuan të shkoj në shkollë”, shkruan Favzia.

Rrethanat e lindjes së saj mund të tingëllojnë tronditëse për disa. Por, në Afganistan kjo ende nuk është e pazakontë. Afganistani është toka ku fëmijët vajza shihen më pak të vlefshëm se një dhi. Dhia do t’ju japë ju të paktën qumështin dhe mishin, ndërsa vajza është një tjetër gojë për ta ushqyer.

Favzia kujton të ketë vizituar një fshat dhe të ketë takuar një grua të sëmurë që kishte lindur. Ishte rreth 25 vjeçe dhe kishte lindur katër fëmijë. Ajo nuk mund t’i kërkonte burrit të saj të shkonte te mjeku, sepse për ta bërë një gjë të tillë, ai duhej të shiste një nga bagëtitë e tij.

“Kur unë të vdes, burri im mund të gjejë grua tjetër. Por, nëse ai shet kafshët, çfarë do të hanë fëmijët e mi?”, kujton Favzia fjalët e saj, për të cilën nuk beson se tani është gjallë.

Pra, diskriminimi i grave dhe trajtimi i dobët i tyre nis nga lindja.

Për shumë gra afgane, jeta është dhunë dhe shëndeti i ligë është gjëja më e mirë që mund të presin. Favzia, në artikullin për “Newsweek”, kujton edhe historinë e 15-vjeçares Shar Gyl që tronditi botën.

Thonjtë e saj ishin shkulur, ndërsa ishte mbajtur pa ushqim të duhur për pesë muaj, në një banjë të pistë dhe të errët, nga familja e burrit të saj. Shkaku – kishte refuzuar të bënte prostitucion.

Si rezultat i presionit të familjes së vajzës, dy persona janë arrestuar në atë që zyrtarët afganë e quajnë “akt joislamik”. Por, ajo që është vërtet tronditëse, shkruan Favzia, është se ky lloj trajtimi i nuseve të reja, në Afganistan nuk është i pazakontë.

***

Favzia ka punuar tetë vjet si anëtare e Parlamentit në Qeverinë afgane, ndërsa më herët ishte zyrtare për mbrojtjen e fëmijëve në UNICEF.

“Jam marrë me raste të panumërta të abuzimit, dhunës dhe martesave të detyruara. Provinca që unë kam përfaqësuar ishte Badakshani – njëra nga krahinat më të varfra dhe më konservatore në gjithë Afganistanin. Provinca gjithashtu kishte normën më të lartë botërore të vdekshmërisë së nënave dhe fëmijëve”, shkruan Favzia për “Newsweek”.

Janë statistika të turpshme, thotë ajo. Të turpshme për afganët, që tolerojnë injorancën e tillë, e cila përjetëson një situatë të tillë, dhe të turpshme për komunitetin ndërkombëtar, i cili, që nga rënia e Qeverisë së talibanëve, ka derdhur miliarda dollarë në programet e parapara për rindërtimin e kombit të shkatërruar.

Nëse ky ishte objektivi i koalicionit në vitin 2001, tani me çfarë mund të konsiderohet i suksesshëm ai?

Nëse qeveritë e huaja nga radhët e NATO-s bëjnë plane për tërheqjen e trupave, si mund t’ia bëjë një vend i pazhvilluar, me eksportim vetëm të heroinës, me infrastrukturë jo të duhur, me mungesë të sigurisë, të sigurimeve shëndetësore apo të arsimit, për t’u integruar me sukses në botën moderne?

“Është e drejtë të thuhet se Afganistani ka shënuar një sërë arritjesh në dekadën e fundit, që nga rënia e talibanëve. Por, ka ende shumë për t’u bërë”, vë në pah Favzia për “Newsweek”.

Këtë javë, është thënë se talibanët duan të hapin një zyrë politike në shtetin e Katarit, për “bisedime rreth paqes”.

“Unë jam një nga zërat e Afganistanit që e vë në pikëpyetje këtë qasje. Disa muaj më parë, talibanët u përpoqën të më vrisnin. Për më se një orë, është zhvilluar një betejë me armë në mes tyre dhe rojeve të mia, duke mos ditur nëse do të vdes apo do të mbijetoj. Ata kanë tentuar të më vrasin edhe në raste të tjera për të vetmen arsye - se unë jam një grua që flas për të drejtat e njeriut. Dhe jo vetëm mua, por edhe të tjerët që flasin si unë”, shkruan Favzia.

***

A mund të besojë dikush se talibanët vërtet do të ndajnë pushtetin dhe do të jenë në gjendje të ulen në një kuvend demokratik së bashku me një grua?

Traditat demokratike nuk janë të reja për Afganistanin, por pas 30 vjetëve të gjatë, që kanë shënuar pushtimin rus, luftën brutale civile dhe sundimin taliban, vendi ka ende nevojë për mbështetjen ndërkombëtare, për të siguruar se përfitimet demokratike dhe sociale të viteve të fundit, nuk janë humbur.

Një ditë, talibanët mund të kenë sukses në vrasjen e Favzias. Por, për aq kohë sa të jetë gjallë, ajo nuk do të ndalojë së drejtuari popullin e saj larg korrupsionit dhe varfërisë.

Për këtë arsye, ajo do të kandidojë edhe në zgjedhjet presidenciale të Afganistanit, në vitin 2014.

“Unë kam lindur si një vajzë që duhej të vdiste. Por, nëse Zoti do, unë mund të vdes duke u bërë presidentja e parë femër e një vendi që e dua dhe një vendi ku të gjithë fëmijët – djem dhe vajza – do të lindin në paqe dhe jo në dhunë”, thotë Favzia.

Ajo do që ta shohë Afganistanin tek zë vendin e duhur në botë. Favzia beson se me mbështetjen e vazhdueshme ndërkombëtare, një gjë e tillë një ditë do të ndodhë.

“Lutja ime është për SHBA-në dhe vendet e tjera që të mos na braktisin ende”, shkruan Favzia Kofi për “Newsweek”.(v.t.)
XS
SM
MD
LG