Ndërlidhjet

Vetëm disa ditë pas vizitës së presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, në Manastirin e Deçanit, është hapur debati se sa do të ishin të mundura vizitat “e anasjellta” të zyrtarëve kosovarë, qoftë edhe vetëm pakicës shqiptare në Serbi.

Debati pason një nismë të një grupi intelektualësh shqiptarë nga jugu i Serbisë, i cili ka ftuar krerët e Kosovës dhe të Shqipërisë të vizitojnë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin.

Thirrja është bërë përmes një letre, të cilën e kanë transmetuar edhe disa media. Por, mbetet e paqartë se kush janë nënshkruesit e iniciativës.

Megjithatë, nëse Tadiqit i është lejuar të festojë Krishtlindjet me bashkatdhetarët e tij në Deçan, përse Beogradi të mos i lejojë për shembull presidentes së Kosovës, Atifete Jaghjaga, të vizitojë shqiptarët në jug të Serbisë?!

Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, mendon se nuk duhet tërhequr paralele ndërmjet jugut të Serbisë dhe Kosovës.

Edhe marrëdhëniet e jugut të Serbisë me pjesën tjetër të Kosovës janë mjaft të diskutueshme... Por, sidoqoftë, unë nuk jam kundër asnjë vizite, përveç nëse bëhet fjalë për personat që janë nën urdhër-arreste. Pra, paraprakisht, propozoj që të shqyrtohet situata dhe të vërtetohet nëse dikush do të duhej të arrestohej kur të kalojë ‘linjën administrative’ dhe të vijë në Preshevë e Bujanoc, sepse ka edhe raste të tilla”, thotë Ivanoviq për Radion Evropa e Lirë.

Riza Halimi është deputeti i vetëm shqiptar nga Lugina në Kuvendin e Serbisë. Ndonëse nuk e di se kush janë nënshkruesit e iniciativës, ai thotë se vizitat “e anasjellta” nuk janë ide e keqe.

Nëse Kosovën e vizitojnë udhëheqësit më të lartë të Beogradit, edhe partiakë, edhe shtetërorë, përse zyrtarët e Prishtinës të mos vijnë në Serbi? Unë mendoj se po shkojmë drejt kësaj dhe marrëveshjet në Bruksel me siguri se do ta lehtësojnë një mundësi të tillë”, thotë Halimi.
Nëse Kosovën e vizitojnë udhëheqësit më të lartë të Beogradit, edhe partiakë, edhe shtetërorë, përse zyrtarët e Prishtinës të mos vijnë në Serbi?

Sipas nismës së publikuar në media, zyrtarët e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të bëjnë përpjekje diplomatike për të vizituar Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, sepse “Serbia po i shpërfill këto komuna”.

Në të po ashtu thuhet se një “arsye e mirë për vizitë” do të ishte se në muajin mars shënohet 20-vjetori i referendumit të shqiptarëve në këto tri komuna për bashkimin me Kosovën, si dhe 11-vjetori i përfundimit të konflikteve të armatosura në këtë zonë.

Argumenti i parë qëndron”, thotë Riza Halimi.

Probleme ka, mjaft serioze. Njërin nga to e ka zgjidhur deri më tash Qeveria në Tiranë dhe në Prishtinë, kur janë në pyetje studentët”, shton ai.

Ilir Meta, para dy vjetësh, në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm, ka vizituar Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën.

Por, sa në fakt mund të jetë aktualisht temë debati vizita e kryeministrit apo e presidentes së Kosovës në jugun e Serbisë, kur Beogradi vazhdon të kontestojë ashpër pavarësinë kosovare?

Analistët në Serbi thonë se gjithçka është e mundur nëse ka vullnet të palëve të interesuara, ndonëse realiteti në terren flet krejt ndryshe.(v.t.)
XS
SM
MD
LG