Ndërlidhjet

logo-print
Time Osmankaj, halla e Sami Osmakaqit, thotë se është e shokuar nga lajmi që 25 vjeçari Sami është akuzuar për komplot për sulm të inspiruar islamik në Shtetet e Bashkuara.

Time Osmankaj të martën e ka përshkruar Samiun, që është shtetas i natyralizuar amerikan, si person “të qetë dhe argëtues”.

Ajo i ka thënë agjencisë AP se ai është nga një “familje shumë e mirë”.

Nuk besoj se ai e bëri atë për të cilën ata e akuzojnë”, tha Time Osmankaj dhe shtoi se “nuk ka pasur fëmijë më të mirë këtu”.

Autoritetet federale të Shteteve të Bashkuara e kanë akuzuar personin Sami Osmakaq për komplot për t’i sulmuar klubet e natës në territorin Tampa Bej dhe zyrën e sherifit me bomba, në shenjë të hakmarrjes për të këqiat që po u bëhen myslimanëve.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara po e përdorin një shqiptim pak më të ndryshëm për mbiemrin e tij se sa ai që e përdorë familja e tij në Kosovë.

Familja Osmankaj gjendet në fshatin Lubizhdë, në pjesën jugperëndimore të Kosovës.

Halla e tij thotë se Sami Osmakaq herën e fundit kishte qenë në Kosovë në tetor të vitit 2011. (f.b.)


Hakmarrje për "gjakun e myslimanëve"


Sami Osmakaq, i lindur në Kosovë, është arrestuar nga autoritetet e SHBA-së nën akuzat se ka planifikuar “sulme në zonën Tampa të Floridës”, për t’u hakmarrë, siç thuhet, për të këqijat që u janë bërë myslimanëve.

Sipas lëndës së përpiluar nga Gjykata Federale e SHBA-së, 25-vjeçari ka incizuar një video tetëminutëshe, ku ka shpjeguar përse donte të bënte terror në zonën Tampa Bej.

Osmakaq është shtetas i natyralizuar amerikan, i lindur në Kosovë.

Në video, ai thuhet se paraqitet ulur këmbëkryq, me pistoletë në dorë dhe me një AK-47 pas tij, ndërsa thotë se “gjaku i myslimanëve është më i vlefshëm se i atyre njerëzve që nuk besojnë në Islam”, raporton AP.

Autoritetet federale thanë se nuk ka ndonjë tregues se Osmakaq ka planifikuar të sulmojë Konventën Ndërkombëtare Republikane, që do të mbahet në muajin gusht në Tampa.

Komuniteti mysliman i zonës e ka ndihmuar policinë në sigurimin e informacioneve, tha Stiv Ibison, agjent special i divizionit të FBI-së në Tampa.

Ky rast nuk ka të bëjë me fenë myslimane dhe me komunitetin mysliman. Ka të bëjë me një individ që ka kryer një krim”, tha Ibison.

Paraqitja e parë e Osmakaqit para gjyqit pritet të ndodhë gjatë ditës së sotme.(v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG