Ndërlidhjet


Të gjitha vendet e rajonit duhet ta njohin realitetin e ri të krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës e këndej, ka deklaruar të martën në Prishtinë, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski.

Këto komente, ai i bëri gjatë një konference të përbashkët me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Veljanovski rikujtoi dy vendime shumë të rëndësishme të Parlamentit të Maqedonisë në raport me Kosovën.

Vendimi i parë, ai i njohjes së shtetit të Kosovës, dhe i dyti, ai për demarkacionin e kufirit midis dyja shteteve.

Tani, tha kryeparlamentari maqedonas, të dyja vendet nuk kanë më asnjë çështje të hapur dhe se ato mund të nxisin dhe kultivojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Unë do të thosha vetëm një gjë, që realiteti që ekziston në rajon duhet të pranohet sa më shpejt.

Ndërkaq për Serbinë, ai kishte mesazhin që ta njohë realitetin e ri në rajon, ku shteti i Kosovës e zë vendin e vet.

Unë do të thosha vetëm një gjë, që realiteti që ekziston në rajon duhet të pranohet sa më shpejt”, është shprehur Veljanovski.

Ai tha se nuk janë vetëm Kosova dhe Serbia që kanë probleme të pazgjidhura.

Në rajon, problemet ekzistojnë edhe në raportet midis Maqedonisë dhe Greqisë, nënvizoi Veljanovski, duke vlerësuar se është detyrë e politikanëve që këto probleme t’i zgjidhin sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se të dyja parlamentet kanë vendosur tashmë një bashkëpunim korrekt.

Ai kërkoi që bashkëpunimi të intensifikohet edhe në raportet ndër qeveritare.

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

Krasniqi e njoftoi homologun e tij nga Maqedonia se shteti i Kosovës pret që në fund të këtij viti të merr vlerësim pozitiv nga Grupi Ndërkombëtar Mbikëqyrës, ku bëjnë pjesë SHBA, vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën dhe Turqia, për t’i dhënë fund fazës së pavarësisë së mbikëqyrur si hapi i fundit drejt pavarësisë së plotë.

Ne presim që Grupi Ndërkombëtar Mbikëqyrës apo komuniteti ndërkombëtar të vlerësojë pozitivisht të arriturat që kanë ndodhur në Kosovë dhe në fund të këtij viti që jemi, realisht të hiqet mbikëqyrja e pavarësisë. Këtë e presim edhe për faktin se Kosova i ka plotësuar obligimet e veta që kanë dalë nga dokumenti gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisari”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, gjatë kësaj vizite në Kosovë, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski është pritur në takime të ndara edhe nga presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG