Ndërlidhjet

Bllokadë në mbrojtje të shtetit


Ilustrim.
Ilustrim.

Lëvizja Vetëvendosje është e vendosur që më 14 janar të bllokojë dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, me qëllim që të zbatojë dhe në praktikë mocionin për reciprocitet të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, shefi i grupit parlamentar, Visar Ymeri, thotë se bllokada do të vazhdojë derisa qeveria të nisë së zbatuari vendimin e Kuvendit.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ymeri keni paralajmëruar bllokim të dy pikave kufitare me Serbinë, me qëllim të, siç keni thënë, mbrojtjes së mocionit të reciprocitetit të miratuar në Kuvendin e Kosovës. Në praktikë, çka nënkupton ky bllokim?

VISAR YMERI
Më 14 janar do ta bllokojmë Serbinë, dy pikat kufitare me Serbinë, në mënyrë që të mos lejohet asnjë ndërhyrje nga Serbia në territorin e Kosovës. Ky është zbatimi i mocionit të Kuvendit të Kosovës, që thërret për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar me Serbinë.

Qeveria deri tash ka dhënë disa herë sinjale se nuk do ta zbatojë këtë vendim edhe pse ky vendim është obligativ për të dhe në mungesë të zbatimit nga qeveria, atëherë është e domosdoshme që qytetarët të organizohen dhe ta zbatojnë këtë vendim, pasi që Kuvendi është organi më i lartë vendimmarrës në vend dhe në një republikë parlamentare kuvendi do të duhej të ishte ai që merr vendimet politike, e qeveria t’i zbatojë vendimet.

Kjo protestë është protestë që e bllokon Serbinë dhe në anën tjetër është protestë kundër qeverisë së Kosovës për shkak të shpërfilljes, që ajo i bën interesave të vendit dhe institucioneve vendimmarrëse të vendit.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, në Qeveri thonë se nuk po e shpërfillin mocionin, por sipas tyre, që nga arritjet e marrëveshjeve në Bruksel, masat e reciprocitetit me Serbinë po zbatohen. Pse ju konsideroni se nuk ka reciprocitet?

VISAR YMERI
Nuk ka reciprocitet as për së afërmi. Secila marrëveshje që është arritur në Bruksel është marrëveshje e nënshtrimit të Kosovës ndaj Serbisë dhe jo marrëveshje e një shteti sovran me një shtet tjetër sovran.

E dini se në secilën marrëveshje, Kosova është ajo që ka bërë kompromise, që ka lëshuar pe, sikur në librat kadastralë ku Kosova është pajtuar që t’i ketë kopjet, ndërsa origjinalin ta mbajë Serbia, librave që i kanë vjedhur nga ne; sikurse te regjistri civil; sikur te marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve, ku i njihet Serbisë mosnjohja që ajo ia bën kufirit shtetëror me Kosovës, që ajo e quan vijë administrative dhe për pasojë edhe BE-ja e quan ashtu; sikur te marrëveshjet për targat e sikur te të tjerat.

Ky nuk është reciprocitet, por nënshtrim që Qeveria e Kosovës, po bën karshi Serbisë. Kjo është në shpërputhje të plotë me tërë historikun e përpjekjes dhe luftërave të shqiptarëve për çlirim nga Serbia dhe në shpërputhje me shpalljen formale të pavarësisë më 17 shkurt.

Kjo qeveri, është qeveri, e cila në kundërshtim me interesin dhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës po e afron Kosovën ka Serbia në vend se ta ndërtojë një shtet sovran edhe karshi Serbisë edhe karshi vendeve tjera.

Me marrëveshjet, që po i arrin Qeveria e Kosovës, po betonohet mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe po betonohet edhe një gjë tjetër që është shumë e dëmshme për të ardhmen politike të Kosovës, e ajo është që në raport me Serbinë, qeveria e Kosovës ka hequr dorë që ta quajë Kosovën Republikë. Dhe këtë heqje të republikës karshi Serbisë, Qeveria po e zbaton edhe duke e rrënuar Republikën për së brendshmi, pra duke i shpërfillur institucionet që e përfaqësojnë vullnetin e sovranit në republikë, siç është Kuvendi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ymeri po drejtoni akuza të rënda ndaj Qeverisë. Kur kihet kjo parasysh, përse nuk organizoheni brenda institucioneve, meqë tashmë jeni në institucione, por duhet të dilni në rrugë?

Visar Ymeri
Visar Ymeri
VISAR YMERI
Ne jemi të pranishëm brenda institucioneve të Kosovës dhe kemi bërë të gjitha ato që janë të mundura përbrenda aty dhe ky vendim i Kuvendit është rezultat i angazhimit tonë brenda institucioneve, por ja që Qeveria e Kosovës nuk po e përfill Kuvendin.

Ky është një sinjal i qartë se zgjidhja nuk është vetëm institucionale, meqë institucionet, ekzekutivi në këtë rast nuk janë institucionalistë. Ekzekutivi si një lloj koagulimi, trupëzimi i një interesi partikular të kryeministrit Hashim Thaçit dhe disa ministrave të tij, është për çdo ditë e më shumë duke punuar në drejtim të interesit të përgjithshëm.

Ndërkohë, shpërfillja që po ua bën institucioneve të tjera, vetëm sa po e rëndon këtë gjendje politike në Kosovë dhe zgjidhja e vetme për këtë është, që ata që kanë dobi prej interesave të përgjithshme, pra qytetarët të jenë ata që marrin vendimin dhe fjalën e fundit në politikë e ky vendim merret përmes aktivizimit të qytetarëve në protesta dhe demonstrata të ngjashme sikur bllokada e 14 janarit. Prandaj, në mungesë të veprimit institucional është i domosdoshëm veprimi qytetar.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë synoni të arrini me bllokadën e 14 janarit dhe a do të jetë vetëm një aksion njëditor?

VISAR YMERI
Jo. Ne do t’i bllokojmë këto dy pika kufitare, derisa Qeveria ta nxjerrë një vendim operativ, me të cilin fillon së zbatuari vendimin politik të Kuvendit për reciprocitet. Ne do të qëndrojmë aty, derisa të fillojnë të ndërmerren masat ku institucionalisht si shtet do ta bllokojmë Serbinë.

Ndërkohë, që deri në atë moment, natyrisht që ne qytetarët do ta bllokojmë Serbinë, dhe kjo do të jetë edhe bllokadë qytetare edhe shtetërore, meqenëse qytetarët janë baza e shtetit.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, zoti Ymeri, nga Ministria e Punëve të Brendshme ka pasur paralajmërime se më 14 janar do të përballeni me ligjin...

VISAR YMERI
Këto paralajmërime i ka hedhur në publik, Bajram Rexhepi, ministri i Punëve të Brendshme. Ai disa herë e ka dëshmuar që jo vetëm se nuk punon në interes të vendit, por tallet me vendimet e veta.

Rasti i fundit ishte vendimi i Qeverisë për t’i ndaluar së qarkulluari automjetet me tabela të strukturave paralele që ka skaduar më 31 dhjetor të 2011 dhe vetë Bajram Rexhepi doli në publik në janar të 2012 dhe tha se edhe kur e kemi marrë këtë vendim, e kemi ditur se nuk do të zbatohej.

Prandaj, unë konsideroj se një qeveri, e cila tallet me interesat e qytetarëve dhe domosdoshmërinë e një shtetndërtimi për qytetarët, është një qeveri që nuk duhet të lejohet të jetë aty.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ymeri, që nga koha kur Qeveria shfuqizoi masat e reciprocitetit, është parë një fluks mallrash që hyjnë nga Serbia për në Kosovë. Por, përderisa nuk ka mallra që hyjnë nga Kosova në Serbi, kohët e fundit ka një fluks udhëtarësh kosovarë që duan të hyjnë në Serbi me dokumente të Kosovës. Me aksionin e 14 janarit, do të pengoni lëvizjen e lirë të këtyre kosovarëve?

VISAR YMERI
Jo. Më 14 janar ne do ta bllokojmë hyrjen e mallrave të Serbisë, hyrjen e automjeteve të Serbisë, për shkak se këto marrëveshje, siç e thashë edhe më herët janë në dëm të shtetit të Kosovës, meqë janë marrëveshje të njëanshme, janë marrëveshje asimetrike, marrëveshje që kërkohen të zbatohen vetëm nga Kosova, por jo edhe nga Serbia. Natyrisht se reciprocitetin duhet ta kuptojmë në natyrën e tij të vërtetë dhe përbrenda reciprocitetit ekziston një lloj hierarkie.

Nuk mund të kemi normalizim të marrëdhënieve me një shtet, që nuk është normal karshi teje. Ne e dimë se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe Serbia aktivisht është e përkushtuar dhe angazhuar që për çdo ditë ta luftojë pavarësinë e Kosovës, qoftë në arenën ndërkombëtare përmes diplomacisë së saj, qoftë brenda territorit të Kosovës përmes strukturave ilegale. Dhe për sa kohë që kemi një konfiguracion të tillë politik në terren dhe një raport të tillë me Serbinë, atëherë nuk mund t’i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, siç po pretendon Qeveria e Kosovës.

Andaj ne konsiderojmë që në mënyrë që Kosova të dalë në avantazh karshi Serbisë, është e domosdoshme që të ndërpritet dialogu në njërën anë, të mos zbatohen marrëveshjet që janë arritur aty dhe në anën tjetër të ndërpritet çfarëdo transaksioni ekonomik e tregtar që Serbia përfiton nga Kosova. Me këto dy vendime institucionet e Kosovës dhe Kosova si shtet do të vendosen në pozitë avantazhi dhe pastaj do t’ia hedhin topin Serbisë.

Kurdo që ajo ta ndryshojë qasjen karshi Kosovës, atëherë ne jemi të gatshëm të normalizojmë marrëveshjen me të, por jo me këtë Serbi. Me këtë Serbi, që nuk na njeh, na lufton dhe i dërgon presidentët e vet këtu që të thonë se kjo është tokë serbe dhe se Kosova po i takuaka Serbisë, që tregon se përveç të kaluarës kriminale, këta edhe planin për të ardhmen e kanë kriminal karshi Kosovës dhe shqiptarëve, atëherë me këtë Serbi nuk duhet të ketë kurrfarë marrëveshjesh , nuk duhet të ketë kurrfarë dialogu dhe kurrfarë normalizimi të marrëdhënieve. Por, prapë po e përsëris Serbia është shtet anormal dhe duhet ta konsiderojmë si të tillë.
XS
SM
MD
LG