Ndërlidhjet

SHBA: Mbahen votimet nominuese republikane në N. Hempshir


Në shtetin verilindor amerikan, Nju Hempshir, sot mbahen votimet nominuese në kuadër të garës për kandidatin republikan për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, kundër Barak Obamës, që mbahen në nëntor.

Hulumtimet e opinionit tregojnë se ish guvernatori i Masaçusetsit, Mit Romni, i cili fitoi në votimin e parë në shtetin Ajova, javën e kaluar, vazhdon të kryesoj para kandidatëve të tjerë.

Gjatë këtyre ditëve, zoti Romni është ballafaquar me kritika në rritje nga rivalët e tij, lidhur me raportet për shkurtime të vendeve të punës dhe marrjes së profitit, që kishte ndodhur në kompanitë, që ishin nën kontrollin e tij, në sektorin privat.

Gjatë fushatës së tij, Mit Romni e ka portretizuar veten si biznesmen, i cili ka dije për të krijuar vende të punës.

Kandidatët e tjerë në votimet republikane në Nju Hempshir janë Ron Pol, kongresmen nga Teksasi, pastaj ish ambasadori amerikan në Kinë, Xhon Huntsman, ish senatori i Pensilvanisë, Rik Santorum, ish kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit, Njut Gingriç, dhe guvernatori i Teksasit, Rik Perri.
XS
SM
MD
LG