Ndërlidhjet

Mit Romni: Fitore e pastër

  • RFE /RL

Mit Romni

Mit Romni


Ish-guvernatori i Maseçusets, Mit Romni me lehtësi ka fituar zgjedhjet nominuese të së martës në Nju Hempshir, duke bërë kështu një hap përpara arritjes së qëllimit që të bëhet zgjedhja e Partisë Republikane për t'u kandiduar kundër presidentit aktual, Barak Obama në zgjedhjet e nëntorit.

Romni fitoi 39 për qind të votave, 16 për qind përparësi ndaj kundërshtarit të tij, kongresistit, Ron Paul.

Fitorja vendimtare në Nju Hempshir vjen pas një fitoreje të ngushtë të Romnit në zgjedhjet e javës së kaluar në Ajoua, duke e rritur vrullin e tij përpara zgjedhjeve të rëndësishme në Karolinën e Jugut, më 21 janar.

Duke folur para përkrahësve të tij, pasi rezultatet dëshmuan një fitore vendimtare në Nju Hempshir, Romni është fokusuar në votimin e radhës në Karolinën e Jugut dhe njëkohësisht në garën presidenciale të nëntorit kundër të parit të demokratëve, Barak Obama.

Presidentit i janë harxhuar idetë. Tani më nuk po ka as arsyetime. Dhe sonte, ne po kërkojmë nga njerëzit e mirë të Karolinës së Jugut që t’i bashkohen qytetarëve të Nju Hempshir dhe të ndikojmë që 2012-ta të jetë viti kur atij i mbaron koha”.

Jo vetëm që Romni i përmbushi pritjet e larta në Nju Hempshir, ai doli pa asnjë rival të denjë që ta sfidojë atë në garën e tij.

Paul u rendit i dyti me 23 për qind të votave.

Ishte kjo paraqitja e tij e dytë e fortë, pasi doli i treti në Ajoua, në garën e parë nominuese.

Por analistët politikë thonë se Paul mbetet një bast i vështirë për nominimet republikane.

Përderisa ka një grup besnik të përkrahësve për shkak të pikëpamjeve më liberale, ai është parë se bie në kundërshtim me idetë më konservatore të partisë Republikane, për shkak të thirrjeve të tij për shkurtime ushtarake, tërheqjen e trupave nga Afganistani, si dhe legalizimin e drogës.

Analistët thonë se kandidati i tretë, ish-guvernatori i Jutahut, Xhon Huntsman, gjithashtu shihet se ka pak gjasa të fitojë nominimin.

Ai fitoi 17 përqind të votave në Nju Hempshir, pas fushatave intensive atje.

Por ai vazhdon të jetë në fund të sondazheve kombëtare.

Ai nuk është aq konservator sa rivalët dhe roli i tij si ambasador i Obamës në Kinë bën që ai të mos jetë aq i dashur në mesin e republikanëve, të cilët kanë pikëpamje të ashpra lidhur me presidentin e tashëm.

Ndërkohë, tre kandidatët që kishin gjasa më të mëdha që të tërhiqnin votat e konservatorëve: Nut Gingriç, Rik Santorum dhe Rik Perri, patën vështirësi në Nju Hempshir.

Gingriç, ish-senator i Pensilvanisë, i cili për 8 vota nuk arriti të fitonte garën në Ajoua, kësaj radhe fitoi 9 për qind të votave.

Ndërsa Perri e kishte konsideruar edhe mundësinë që ta linte garën, pasi u rendit i pesti në garën në Ajoua.

Ai e tejkaloi fushatën në Nju Hempshir, për t'u fokusuar në zgjedhjet në Kaorlinën e Jugut.

Romni mund të ketë një situatë më të vështirë në Karolinën e Jugut, ku ndodhet një grup i madh i të krishterëve evangjelistë.

Disa republikanë mund ta vënë në dyshim faktin në ai është mjaft konservativ për shkak të pikëpamjeve të tij për abortin dhe çështjet e tjera sociale.

Analistët politikë thonë se me dështimin e konservatorëve që të kenë një kandidat të vetëm, vota e tyre në Karolinën e Jugut mund të ndahet ndërmjet Gingriçit, Santorumit dhe Romnit.(v.k.)
XS
SM
MD
LG