Ndërlidhjet

logo-print

(S’)mbështesin aksionin e Vetëvendosjes


Ilustrim

Ilustrim

Disa kompania kosovare mbështesin aksionin e Lëvizjes Vetëvendosje, që më 14 janar t’i bllokojnë dy pikat kufitare me Serbinë - në Merdar dhe te Dheu i Bardh, me qëllim që të zbatojnë në praktikë mocionin për reciprocitet, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Mirëpo, ka edhe kompani që nuk e mbështesin këtë vendim.

Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova”, në Vushtrri, e mbështet vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje, që në pikat kufitare me Serbinë ta ndalojë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.

Merdar...

Merdar...

Kosumi thotë se edhe pas arritjes së marrëveshjes për njohjen e vulave doganore, prodhuesit kosovarë, sipas tij, nuk janë partnerë të barabartë me prodhuesit nga shteti fqinj Serbia.

“Gjithçka që na dërgon kah ajo që të jemi të barabartë me prodhuesit serbë, derisa ata janë prezent në Kosovë me të gjitha produktet, mendoj se edhe neve, si kompani, na konvenon. Prandaj, e mbështes aksionin e Vetëvendosjes”, thotë Kosumi.

Edhe udhëheqës të kompanisë ndërtimore “Muça Company”, nga Suhareka, e vlerësojnë të arsyeshëm dhe të domosdoshëm ndalimin e mallrave serbe në territorin e Kosovës.

Sedat Muça, pronar në këtë ndërmarrje, shprehet se Serbia për tre vjet me radhë i ka bllokuar mallrat e Kosovës, ndërsa edhe pas arritjes së marrëveshjes për lejimin e prodhimeve kosovare në këtë shtet, problemet vazhdimisht kanë qenë të pranishme.
Nëse Serbia nuk pranon prodhime ‘Made in Kosova’, pse ne të pranojmë nga ta?!

“Po, e përkrahim dhe gjithsesi duhet të ndërpriten të gjitha aktivitetet me ta. Nëse Serbia nuk pranon prodhime ‘Made in Kosova’, pse ne të pranojmë nga ta?!”, pohon Muça.

Ndërsa, pronari i kompanisë “Laberion”, Bashkim Osmani shprehet:

“Si kompani, të gjitha ato që i bëjnë për prodhuesit vendorë, i mbështesim dhe i përkrahim, dhe fuqishëm jemi me ta. Por, në rastin konkret duhet gjetur mundësi dhe forma tjera për t’iu qasur problemeve dhe jo me bllokim të rrugëve”.

Sidoqoftë, ka edhe pronarë të kompanive të ndryshme kosovare, që nuk e mbështesin, siç thonë, formën e bllokimit të pikave kufitare me Serbinë.

Një ndër importuesit e produkteve serbe në Kosovë, është kompania “Elkos”.

Pronari i kësaj kompanie, Ramiz Kelmendi, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se përkrah çdo aktivitet në mbrojtje të prodhimeve vendore, por që nuk mbështet mënyrën se si ka vendosur Lëvizja Vetëvendosje.

“Jo, unë nuk e mbështes këtë formë, këtu mund të protestohet para institucioneve që janë të paafta në zbatimin e vendimit të Kuvendit dhe jo të dilet atje dhe të bllokohen rrugët”, thekson Kelmendi.

Çdo vendim që marrin institucionet e Republikës së Kosovës, për bllokim të mallrave serbe, e përkrah edhe Nebih Zariqi, pronar i kompanisë ndërtuese “Standard”, por që nuk e mbështet asnjë aksion apo vendim që marrin parti të caktuara në Kosovë.

“Nuk jemi për forma të rrugës, të natyrës së tillë, sepse mund të eskalojë dhe mund të vijë te ndonjë ngjarje e padëshirueshme. Prandaj, të gjitha ato që janë në vija institucionale i përkrahim, por natyrisht në bazë të ligjeve që miraton Kuvendi i Kosovës, dhe gjithashtu marrëveshjet ndërkombëtare që arrihen ndërmjet Qeverisë së Kosovës”, thotë Zariqi.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, nuk e përkrahin asnjë aktivitet të partive të ndryshme politike.


Agim Shahini, kryetar në Aleancën Kosovare të Biznesit, thotë se kjo organizatë nuk është pjesë e politikave ditore të subjekteve politike, kështu që, sipas tij, u mbetet kompanive në mënyrë individuale ta mbështesin apo jo aktivitetin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Këto janë aktivitete të subjekteve politike dhe ne, si Aleancë Kosovare e Biznesit, nuk do të kemi interferim në aktivitete të partive politike”, deklaron Shahini.

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë kanë paralajmëruar se bllokada do të vazhdojë derisa Qeveria të nisë së zbatuari vendimin e Kuvendit për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar ndaj Serbisë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG