Ndërlidhjet

Qeveria kundërshton ashpër planin për bllokim të pikave kufitare


Qeveria e Kosovës kundërshtoi fuqishëm planin e lëvizjes Vetëvendosje për bllokimin e pikave kufitare në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se aksioni i planifikuar të zbatohet të shtunën “nuk përkon as me traditën e formulimit Vetëvendosje, por me formulimin vetëfundosje”.

Ai tha se perspektiva e Kosovës nuk është ajo e barrikadave, por një perspektivë e integrimit.

“Perspektiva e shtetit të Kosovës është në integrim e jo në barrikadë. Veprimi i dhunshëm kundër institucioneve legjitime të Kosovës ka qenë dhe është i papranueshëm për të gjitha institucionet, por edhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Vendosmërisë së Lëvizjes Vetëvendosje për bllokimin e pikave kufitare iu përgjigj me po të njejtën vendosmëri ministri i punëve të brendshme, Bajram Rexhepi, duke mos përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për të pamundësuar zbatimin e aksionit.

“E rrespektojmë të drejtën e protestave të qeta, prandaj policia i ka planet operative, e jo vetëm që s’do të lejojë qasje në pikë-kalimet kufitare, por shpresojmë se nuk do të jetë i domosdoshëm përdorimi i forcës. Mirëpo, në raste të caktuara, përdorimi proporcional i forcës është metodë ligjore demokratike”, theksoi Rexhepi.

Lëvizja Vetëvendosje është shprehur e vendosur që më 14 janar të bllokojë dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, me qëllim që të zbatojë dhe në praktikë mocionin për reciprocitet të plotë me Serbinë, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
XS
SM
MD
LG