Ndërlidhjet

Investimet në veri


Mitrovicë
Mitrovicë
Me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve në veri të Kosovës institucionet e vendit janë duke bërë përpjekje për realizimin e projekteve të ndryshme.

Zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal thonë se gjatë vitit 2011 janë shpenzuar mbi 380 mijë euro dhe do të vazhdohet me projekte të tjera gjatë këtij viti.

Sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, konsideron se për veriun e Kosovës ka pasur buxhet relativisht mirë për investime, por, siç thotë ai, nuk ka pasur partner për implementimin e projekteve.
Janë rreth gjysmë milion euro për projektet që i kemi implementuar
në veri...

“Ministria jonë është fokusuar kryesisht në mobilizimin e sektorit joqeveritar dhe te komuniteti i biznesit rreth përgatitjeve për themelimin e komunës së re të Mitrovicës së veriut. Janë rreth gjysmë milion euro për projektet që i kemi implementuar në veri”.

“Në të njëjtën kohë, përmes USAID-it, meqë ne nuk kemi qenë të pranueshëm për implementuar projekte, Qeveria e Kosovës, përmes USAID-it, ka financuar një numër të caktuar të projekteve në veri, që janë në fushën e ambientit. Edhe ajo shumë është përafërsisht një milion euro. Gjithsej, vlera pa pjesën e USAID-it është 382 mijë e 628 euro”, thotë Osmani për Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se janë të vendosur për zbatimin e planit të saj për investime në veri të Kosovës. Fondet e ndara për investime janë duke shkuar për rregullimin e infrastrukturës dhe ndihma të ndryshme.

Mirëpo, përfaqësuesit e partive politike opozitare thonë se Qeveria asnjë herë nuk ka pasur ndonjë plan konkrete sa u takon investimeve në veri.

Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se ekzekutivi i vendit nuk ka synuar të shkojë përtej investimeve, siç i quan ai, minore.
Qeveria e Kosovës deri tash asnjëherë nuk ka pasur plan të qartë për investimet
në veri.


“Qeveria e Kosovës deri tash asnjëherë nuk ka pasur plan të qartë për investimet në veri. Është mjaftuar me investime shumë të vogla në rrethinë të qytetit të Mitrovicës, por asnjëherë investime direkte në gjithë veriun – ku janë edhe tri komuna të tjera, në të cilat nuk ka pasur investime”, shprehet Ramadani.

Investimet në veri të Kosovës po bëhen krahas përgatitjeve për krijimin e komunës së Mitrovicës veriore, e parashikuar edhe me Planin e Marti Ahtisarit.

Osmani nga Ministria e Pushtetit Lokal, tregon për planet dhe projektet e tjera që pritet të realizohen gjatë 2012-s:

“Ne presim implementimin e pesë projekteve të tjera, që, përafërsisht, të gjitha së bashku do të bëjnë rreth 750 mijë euro dhe kjo do të jetë shumë që si Ministri e Administrimit të Pushtetit Lokal, mendojmë ta implementojmë gjatë këtij viti në veri”.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, së bashku me Zyrën Civile Ndërkombëtare ka kohë që kanë krijuar ekipin përgatitor për krijimin e komunës veriore të Mitrovicës.

Ekipi përgatitor komunal në veri të Mitrovicës ka filluar punën në shkurt të vitit 2010. Ky ekip përbëhet nga 11 anëtarë dhe mbështetet nga tre anëtarë të tjerë, nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe dy nga Zyra Civile Ndërkombëtare në Mitrovicë.

Pavarësisht kësaj, zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ende nuk janë në gjendje të thonë se kur do të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve.

“Me planin e punës së ministrisë sonë, nëse në planin e sigurisë gjërat do të shkojnë mirë, e edhe të vendosjes së rendit dhe ligjit, ne presim që gjysma e dytë e vitit do të jetë shumë atraktive”, thekson Besnik Osmani.

Që nga viti 2008 ka nisur të zbatohet Strategjia dhe Plani i Veprimit për zbatimin e decentralizimit. Katër komuna të reja tashmë janë krijuar në bazë të Planit të Marti Ahtisarit, ndërsa ka mbetur vetëm veriu i Mitrovicës - rajoni ku ende institucionet e Kosovës nuk po mund të shtrijnë autoritetin e tyre të plotë.
XS
SM
MD
LG