Ndërlidhjet

Referendumi "s'e ndikon" kandidaturën e Serbisë


Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, tha se referendumi i paralajmëruar në veriun e Kosovës nuk do të duhej të ndikonte në vendimin e Bashkimit Evropian për t’i dhënë ose jo statusin e kandidatit shtetit serb, sepse për këtë status “nuk konkurron Kosova, por Serbia”.

Kacin u ka thënë mediave serbe se autoritetet e Beogradit, deri në vendimin e muajit mars, duhet të përmirësojnë “imazhin e Serbisë dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura me Prishtinën”.

Ai po ashtu ka thënë se “është në interesin e rajonit që Serbia të fitojë jo vetëm statusin e kandidatit, por edhe të nisë bisedimet për anëtarësim në BE, sa më parë që të jetë e mundur”.

Referendumi i ashtuquajtur i veriut është paralajmëruar të mbahet më 14 dhe 15 shkurt në Mitrovicë, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Me të synohet të qartësohet vullneti i serbëve për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit.
XS
SM
MD
LG