Ndërlidhjet

Nuk lejojmë janarin e Tiranës në Prishtinë


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

Nuk do të lejojmë përsëritjen e janarit të vitit të kaluar të Tiranës edhe në Prishtinë, ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Këto zotime, zoti Thaçi i ka bërë si kundërpërgjigje ndaj paralajmërimeve të Vetëvendosjes për bllokimin e pikave doganore të Kosovës për mallërat që vijnë nga Serbia.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, janë paralajmëruar disa protesta dhe bllokada të reja kufijve të Kosovës. Si mendoni të reagoni në këso situata dhe a do të mund të menaxhoni gjendjen?


HASHIM THAÇI
Viti 2012 është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Republikën e Kosovës. Ne me datën 19 janar do të kemi vizitën e komisionarës Malstrom për dorëzimin e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave në Republikën e Kosovës, ndërsa me 24 janar do të dilet me qëndrimin e qartë se viti 2012 do të jetë viti përmbyllës i pavarësisë së mbikëqyrur në Kosovë.

Do të jetë jashtëzakonisht me rëndësi për ne që të punojmë me standarde, vlerat, dhe vizionin evropian, dhe në asnjë rrethanë të merremi me veprime që e kthejnë Kosovën prapa, që prezantojnë Kosovën me një pamje që nuk përkon realitetin demokratik, me një pamje që rrezikon të ardhmen evropiane dhe me një pamje që definitivisht rrezikon edhe progresin për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur.

Paralajmërimet e krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje për zhvillime apo reagime të dhunshme për të marrë në kontroll, në mënyrë formale, kufijtë e Kosovës, janë mesazhet më të këqija të mundshme që mund t’i ndodhnin Kosovës në këtë kohë, tejkalojnë çdo autoritet kushtetues, legal dhe moral. Paralajmërimet e tyre për veprime të dhunshme, janë diçka që më së paku i duhej Kosovës në këtë kohë. Nuk është në rolin opozitar, por të një grupi joformal, pa ndonjë objektivë në kuptimin e reformave, por plotësisht kundër-kushtetues, ligjor, anti-reformator.

Duhet ta kuptojnë që me veprime të dhunshme nuk fitohet pushteti dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që zhvillime të tilla të pretenduara të dhunshme nga krerët e kësaj partie të jenë pamja e Republikës së Kosovës, në përmbyllje të vitit të katërt të pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Rrjedhimisht nga kjo, a do të lejoni që pikat kufitare të Kosovës të mbyllen, siç pretendon kjo parti politike?


HASHIM THAÇI
Krerët e Lëvizjes Vetëvendosje, që t’i quaj “Vetëfundosje”, do të vetëfundosen, por nuk do të lejojmë që Kosovën ta fundosin në asnjë rrethanë. Nuk do të lejojmë gjithashtu qëllimin e këtyre krerëve të kësaj partie që janarin e vitit të kaluar të Tiranës ta sjellin këtë janar në Prishtinë.

Shteti i Kosovës do të funksionojë në mekanizmin e vet kushtetues dhe ligjor, dhe këta krerë morën përgjegjësi personale për inicimin e këtyre veprimeve të paralajmëruara të dhunshme ndaj institucioneve dhe shtetit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ky aksion i Vetëvendosjes është paralajmëruar edhe si një lloj kundërpërgjigje ndaj masave të reciprocitetit. A po i respekton dhe zbaton qeveria juaj masat e tilla në raport me Serbinë?


HASHIM THAÇI
Ne jemi duke respektuar në plotëni Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Sot, askush nuk ka të drejtë të pretendojë të marrë në duar autoritetin e institucioneve. Këto institucione kanë dalë nga vota e lirë. Ata duan pushtet me dhunë. Duan që të cenojnë institucionet e vendit. Kjo nuk është protestë në kuptimin e kërkesave politike dhe se ajo është e drejtuar drejtpërdrejtë kundër institucioneve të shtetit me prapavijë të qartë politike që nga Dheu i Bardhë e Merdar të zhvendosen përballë institucioneve të Republikës së Kosovës për të provokuar marrjen e dhunshme të pushtetit.

Diçka e tillë nuk do të ndodhë në Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane e demokratike. Paralajmërimet për veprime të dhunshme të krerëve të kësaj partie janë ogurzi për Kosovën. Unë i falënderoj qytetarët e Kosovës dhe gjithë spektrin politik që janë distancuar prej tyre. Pushtetin me dhunë askush nuk do të mund ta marrë në Kosovë, ngase do të vijnë zgjedhjet e lira ku maten forcat politike. Sot patriotizmi më i madh për të gjithë njerëzit është respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve.



Kjo nuk është protestë në kuptimin e kërkesave politike dhe se ajo është e drejtuar drejtpërdrejtë kundër institucioneve të shtetit me prapavijë të qartë politike që nga Dheu i Bardhë e Merdar të zhvendosen përballë institucioneve të Republikës së Kosovës për të provokuar marrjen e dhunshme të pushtetit.
Puna për integrime evropiane dhe jo imitimi i Zvonko Veselinoviqit nga këta krerë të paralajmërimeve të dhunshme. Prandaj, ne si qeveri do t’i kryejmë obligimet kushtetuese e ligjore dhe se nuk do të mund të thirret askush në motive patriotike për ta dëmtuar imazhin, perspektivën evropiane të Kosovës. Pra, këto veprime të paralajmëruara të dhunshme të krerëve të Vetëvendosjes do t’i dëmtojnë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, perspektivën e saj evropiane, procesin e liberalizimit të vizave, procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

Paaftësia e tyre e tyre për t’u ballafaquar me ide dhe alternativa politike në Parlament i ka ngjallur idetë e tyre për veprime të dhunshme në rrugë. Por, jam i sigurt se populli i Kosovës, institucionet e saj, partitë politike dhe e gjithë bota demokratike do të distancohet prej këtyre paralajmërimeve të veprimeve të dhunshme të krerëve të kësaj partie. Por, përgjegjësia do të jetë direkt personale e tyre për dhunën e paralajmëruar nga ata. Shteti i Kosovës nuk do të dorëzohet nga dhunuesit e ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zoti kryeministër bllokada e barrikada ka edhe në veri të Kosovës. Do t’u jepni fund ju si qeveri këtyre veprimeve apo edhe paralajmërimeve tjera për bllokadat në mënyrë që shteti i Kosovës të ketë kufij të hapur evropian, ashtu siç pretendon?


HASHIM THAÇI
Qeveria e Republikës së Kosovës punon me model evropian duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës bashkërisht me të gjitha autoritetet ndërkombëtare. Nuk është mirë që këta krerë marrin si shembull modelin serb të bllokadave. Perspektiva e Kosovës është në procesin integrues dhe jo në atë bllokues.

Prandaj, ne do të punojmë bashkë me të gjithë mekanizmat ndërkombëtar. Sot për herë të parë kemi doganierë dhe policë kufitarë në pikat 1 dhe 31 në veri. Do të ketë lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave dhe është një proces i pakthyeshëm i normalizimit të gjendjes edhe në veri, pra për lëvizje të lirë, për sundim të ligjit, për zgjedhje të lira, për lidership legjitim dhe investime socio-ekonomike.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni paralajmërimet e përfaqësuesve serbë atje për referendum?


HASHIM THAÇI
Asnjë veprim i njëanshëm nuk do të ketë asnjë vlerë dhe asnjë reflektim në kuptimin e jetës institucionale.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbesim edhe pak te veriu. Zoti kryeministër, presidenti serb Tadiq ka paralajmëruar katër pika për diskutim në dialogun Prishtinë – Beograd, ku bëjnë pjesë dhe ato për dialog në lidhje me të ardhmen e veriut të Kosovës dhe zonat e kishave ortodokse serbe. Jeni të gatshëm të bisedoni me zotin Tadiq për këto tema?


HASHIM THAÇI
Kosova është vend i pavarur e sovran. Për Kosovën vendosin institucionet e saj. Jemi të gatshëm të kemi bashkëpunim të mirë fqinjësor të mirë si dy vende të pavarura e sovrane në interesin e dy popujve tanë, për interesin e integrimeve euro-atlantike, paqes dhe stabilitetit në rajon. Por, për Kosovën vendosin institucionet e Republikës së Kosovës, kemi Kushtetutën, ligjet tona dhe do të punojmë në përputhshmëri me to.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fillim të intervistës ju e përmendët çështjen e udhërrëfyesit dhe përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur. Sa, në fakt, jeni optimist se gjatë këtij mandati, Qeveria e Kosovës do t’i përmbyllë këto dy procese?


HASHIM THAÇI
Qeveria e Kosovës është e zotuar t’i përmbyllë këto dy procese. Edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, por edhe përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur janë duke u rrezikuar nga këto mesazhe të dhunshme të krerëve të Lëvizjes “Vetëfundosje”.

Prandaj, ju e shihni edhe shembullin e Shqipërisë, se çka i ndodhi Shqipërisë, kur nga disa veprime jo në përputhshmëri me kushtet dhe rrethanat dhe perspektivën evropiane, i kushtuan me shtyrjen e procesit të kandidaturës për Bashkimin Evropian.

Kështu që këto veprime vetëm sa shtyjnë konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave dhe përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, shtynë perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës, shtyjnë dhe rrezikojnë në masë të madhe.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët në disa raste shembullin e Shqipërisë...Ka paralajmërime se grupe të caktuara mund të vijnë në mbështetje të Vetëvendosjes. Do të lejoni që ata të vijnë në Kosovë?


HASHIM THAÇI
Kosova nuk është në rrezik prej institucioneve legjitime, prej respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve, e theksoj edhe një herë, nuk do të lejojmë në asnjë rrethanë që janari i Tiranës së vitit 2011 të përsëritet në Prishtinë në janarin e vitit 2012 dhe të rrezikohet e gjithë perspektiva evropiane e Republikës së Kosovës.

Unë falënderoj edhe autoritetet në Tiranë që janë distancuar, edhe pozita edhe opozita, prej këtyre elementëve, e në të njëjtën kohë edhe i gjithë spektri politik kosovar, shoqëria civile, mediat, veteranët e luftës, gjithë njerëzit, gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.


XS
SM
MD
LG