Ndërlidhjet

Çështja e emrit: Kritikohet qëndrimi i Gruevskit


Nikolla Gruevski - foto nga arkivi
Nikolla Gruevski - foto nga arkivi

Deklarata e një dite më parë e kryeministrit Nikolla Gruevski në mediat maqedonase, se gjasat për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO në samitin e Çikagos janë thuajse minimale, janë kritikuar jo vetëm nga opozita, por edhe nga njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare.

LSDM-ja tha se “është gabim i madh që disa muaj para samitit të NATO-së, të pranohet kapitullimi”, siç ka bërë Gruevski, i cili, sipas partisë maqedonase në opozitë, “është zgjedhur kryeministër i vendit për të zgjidhur problemet dhe për të mbrojtur interesat nacionale, e jo të tregojë se sa e ka të vështirë në punën e tij”.

Në fakt, Gruevski ka thënë se vlerësimet e tija nuk janë pesimiste, por realiste, para së gjithash për shkak të mungesës së gatishmërisë së Greqisë për një angazhim më serioz në procesin e zgjidhjes së çështjes së emrit.

Duke komentuar qëndrimin e këtillë të kryeministrit Gruevski, analisti Xhelal Nezeri thotë se me këtë, kryeministri tashmë qartë ka bërë me dije se ai edhe këtë vit nuk do të bëjë asnjë kompromis për zgjidhjen e çështjes së emrit, që është kushti thelbësor për zhbllokimin e procesit integrues.

Kryeministri Nikolla Gruevski është i vetëdijshëm për detyrën kryesore që duhet ta kryejë për anëtarësimin e vendit në NATO, ajo është zgjidhja e çështjes së emrit.
Kryeministri Nikolla Gruevski është i vetëdijshëm për detyrën kryesore që duhet ta kryejë për anëtarësimin e vendit në NATO, ajo është zgjidhja e çështjes së emrit. Gruevski gjithashtu është i vetëdijshëm se këtë kompromis nuk është i gatshëm ta bëjë, andaj edhe shprehet në mënyrë shumë më realiste se nuk pret asgjë nga samiti i Çikagos. Pra, ky samit nuk besoj se do të sjellë diçka të re për Maqedoninë, përderisa Gruevski mbetet në pozicionet e tija për mosndryshimin e emrit të Maqedonisë”, shprehet Neziri.

Të njëjtën e pohon edhe Stevo Pendarovski, profesor universitar.

Kushti është i qartë, ka ekzistuar edhe më parë, por ekziston edhe sot. Pra duhet të ketë zgjidhje të çështjes së emrit që të mund të anëtarësohemi në NATO. Nëse nuk arrihet kjo, do të mbetemi jashtë kësaj organizate, pavarësisht edhe vendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thotë Pendarovski.

Kushti është i qartë, ka ekzistuar edhe më parë, por ekziston edhe sot. Pra duhet të ketë zgjidhje të çështjes së emrit që të mund të anëtarësohemi në NATO.
Nga ana tjetër, qarqet analitike në Athinë, situatën e status-quos e mbrojnë me krizën e thellë ekonomike në Greqi dhe mungesën e stabilitetit politik atje.

Vllasis Vllasidis, profesor i çështjeve të komunikimit në Universitetin e Maqedonisë Perëndimore në Florinë të Greqisë, thotë për Radion Evropën e Lirë se gjatë këtij viti nuk pret zgjidhje të kontestit.

Situata e brendshme në Greqi është aq serioze, sa që është e pamundur që ndonjë lider të marrë rrezikun për zgjidhje apo të propozojë zgjidhje të çështjeve tona dypalëshe, pasi kjo do të shkaktonte probleme tjera të brendshme. Pra, nuk shoh që Papandreu,Samaras apo Karaxhaferis në një të ardhmen të afërt do të përballeshin me Gruevskin. Prioritet për gjithë liderët grekë është zgjidhja e problemeve të brendshme”, thekson Vllasidis.

Ndërkohë, në intervistën për gazetën “Dnevnik”, kryeministri Nikolla Gruevski ka vërejtur edhe rënien e interesimit të faktorit ndërkombëtar në zgjidhjen e kontestit, e në veçanti nga SHBA-të.

Lidhur me këtë analistit Xhelal Neziri thotë se roli i ndërkombëtarëve ka qenë dhe është shumë konstruktiv, por për të pasur rezultate nevojitet konstruktivitet edhe nga palët tjera.

Pra nëse vet qeveria apo kryeministri nuk është i interesuar për kompromis, atëherë edhe faktori ndërkombëtar është edhe më shumë i painteresuar, pasi nuk gjen vullnet të mirë te Qeveria e Maqedonisë, mbase edhe tek ajo e Greqisë”, thotë Neziri.

Përkundër toneve pesimiste nga kryeministri Gruevski, ndërmjetësi i OKB-së për zgjidhjen e kontestit, Metju Nimic, për 16 janar ka caktuar në Nju Jork raund të ri të bisedimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë.
XS
SM
MD
LG