Ndërlidhjet

MPJ e Shqipërisë i dënon thirrjet për bllokim të pikave kufitare


Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë i dënon “thirrjet ekstremiste” të disa shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri, për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë, ka kumtuar sot kjo ministri.

“Veprime të tilla, si imitim i politikave ekstremiste serbe, nuk kanë asgjë të përbashkët me sakrificat dhe përpjekjet konstruktive mbarëshqiptare për ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe të një shoqërie multietnike, të një shteti që ndërton dhe zhvillon marrëdhënie të mira me fqinjët, në shërbim të paqes e stabilitetit në Kosovë e rajon”, thuhet pos tjerash në kumtesën e MPJ-së së Shqipërisë.

Mëtutje, theksohet se “përdorimi i retorikës nacionaliste e pseudo-patriotike, në funksion të axhendave politike partiake, nuk i shërben aspak objektivave madhore të shqiptarëve për integrimin e secilit nga shtetet ku ata jetojnë në trojet e tyre, në Bashkimin Evropian, dhe nuk ndihmojnë në njohjet e reja për shtetin e ri të Kosovës”.

Në fund të kësaj kumtese, MPJ thekson se “shprehim besimin se energjitë e këtyre forcave politike duhet të fokusohen në procesin e reformave të brendshme, që çojnë në konsolidimin e shtetit demokratik të Kosovës, të integrimit të gjithë komuniteteve, dhe të marrëdhënieve të hapura bazuar në respektin reciprok midis shteteve të pavarura e sovrane”.
XS
SM
MD
LG