Ndërlidhjet

Quint: Vetëvendosje do të jetë përgjegjëse për pasojat



Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i shohin me shqetësim veprimtaritë e planifikuara të Lëvizjes Vetëvendosje për datën 14 janar për të bllokuar vendkalimet kufitare në portat 3 dhe 5.

Në një deklaratë të përbashkët për opinion, pesëshja diplomatike ka nxitur Vetëvendosjen “që të përmbahet nga çfarëdo dhune ose provokimi ndaj personelit të Policisë së Kosovës”.

“Veprimet e tilla jo vetëm që do të jenë joligjore, por po ashtu do të rritnin tensionet politike në Kosovë dhe do të ndikonin negativisht në imazhin e Kosovës jashtë vendit. Çdo bllokim i njëanshëm i tregtisë po ashtu do të shkonte kundër përkushtimeve të Kosovës nën CEFTA-n. Ne jemi të bindur që Policia e Kosovës, e mbështetur nga EULEX-i dhe KFOR-i në rolet e tyre përkatëse, do të tregojnë përmbajtje dhe profesionalizëm në sjelljen e tyre ndaj çfarëdo provokimeve, por në fund Vetëvendosje do të jetë përgjegjëse për pasojat e veprimeve të saja të planifikuara”, thuhet në deklaratën e pesëshes.

“Asnjë parti politike nuk gëzon pushtetin jashtëligjor për të marrë ligjin në duart e veta e as për të zbatuar njëanshëm interpretimin e vetë të akteve legjislative”, thuhet në deklaratë.

“Pasi që këto veprime shkojnë përtej të drejtës legjitime për të shprehur mendimet e kundërta, të cilat ne gjithmonë i mbështesim, ato janë plotësisht në mospërputhje me parimet themelore të qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit”.
Ambasadat theksojnë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe për marrëveshjet e arritura deri tash.

“Qëllimi strategjik i këtij procesi është për të mundësuar normalizimin gradual të gjendjes së Kosovës në rajon. Ky normalizim, dhe vendosja e marrëdhënieve të mira fqinjësore, janë në interes konkret dhe praktik të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Po ashtu, ky është shtegu i vetëm që çon në integrimet euroatlantike. Kosovarët nuk duhet ta lejojnë asnjë parti politike që ta sabotojë këtë proces”, përfundon deklarata e pesëshes diplomatike.
XS
SM
MD
LG