Ndërlidhjet

VV s'heq dorë nga protesta



Lëvizja Vetëvendosje një ditë para fillimit të aksionit “Serbia nuk kalon” ka bërë të ditur se do të përkujdeset që protesta të jetë paqësore.

Drejtuesit e Vetëvendosjes, thanë se rreth 200 persona do të jenë kujdestarë në dy vendkalimet kufitare me Serbinë që protesta të mos eskalojë.

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti në një konferencë për media bëri të ditur se protesta e nesërme nuk do të bllokojë qarkullimin e lirë të qytetarëve, por do ta bllokojë hyrjen e mallrave nga Serbia në Kosovë.

Albin Kurti
Albin Kurti
Reciprociteti është vlerë e Bashkimit Evropian. Shtetet në Bashkimin Evropian e njohin njëra tjetrën dhe janë në marrëdhënie reciproke. Nuk ka asnjë shembull tjetër në botë ku dy shtete që nuk kanë marrëveshje të paqes dhe që nuk e njohin njëra tjetrën megjithatë kanë marrëveshje me të tregtisë së lirë siç është rasti më Kosovën dhe Serbinë”, tha Kurti.

Ai tha se protesta e nesërme nuk është kundër serbëve të Serbisë e as atyre të Kosovës, por është kundër vetë Serbisë.

Protesta jonë paqësore është e drejtuar kundër Serbisë, e cila prej Kushtetutës së saj ku shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë, e deri te deklarata e qëndrimi dhe sjellja e nëpunësit apo zyrtarit me të ulët shtetëror ka qëndrime kundër pavarësisë së Kosovës dhe plane anti-shqiptare”, tha Kurti.

Protesta e nesërme organizohet pasi që Qeveria e Kosovës nuk po zbaton vendimin e Kuvendit të Kosovës ku me shumicë votash, deputetët e Parlamentit, më 7 dhjetor patën miratuar mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për marrjen e masave të reciprocitetit në raport me mallrat e Serbisë.

Për moszbatimin e këtij vendimi të Kuvendit, Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës është duke vendosur vetë se cilat vendime do t’i zbatojë e cilat jo.

Konsiderojmë që Qeveria e Kosovës është rebeluar. Ajo është rebeluar kundër vendimit demokratik të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Konsiderojmë që Qeveria e Kosovës është rebeluar. Ajo është rebeluar kundër vendimit demokratik të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Qeveria nuk po e respekton rendin institucional. Qeveria thjesht po promovon anarki duke përzgjedhur në mënyrë arbitrare se cilat vendime, qëndrime e ligje të Kuvendit do t’i zbatojë, e cilat jo”, u shpreh Kurti.

Ndryshe, Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i shohin me shqetësim veprimtaritë e planifikuara të Lëvizjes Vetëvendosje për datën 14 janar për të bllokuar vendkalimet kufitare në portat 3 dhe 5.

Në një deklaratë të përbashkët për opinion, pesëshja diplomatike ka nxitur Vetëvendosjen “që të përmbahet nga çfarëdo dhune ose provokimi ndaj personelit të Policisë së Kosovës”.

“Veprimet e tilla jo vetëm që do të jenë joligjore, por po ashtu do të rritnin tensionet politike në Kosovë dhe do të ndikonin negativisht në imazhin e Kosovës jashtë vendit. Çdo bllokim i njëanshëm i tregtisë po ashtu do të shkonte kundër përkushtimeve të Kosovës nën CEFTA-n".

"Ne jemi të bindur që Policia e Kosovës, e mbështetur nga EULEX-i dhe KFOR-i në rolet e tyre përkatëse, do të tregojnë përmbajtje dhe profesionalizëm në sjelljen e tyre ndaj çfarëdo provokimeve, por në fund Vetëvendosje do të jetë përgjegjëse për pasojat e veprimeve të saja të planifikuara”,
thuhet në deklaratën e pesëshes.

“Asnjë parti politike nuk gëzon pushtetin jashtëligjor për të marrë ligjin në duart e veta e as për të zbatuar njëanshëm interpretimin e vetë të akteve legjislative”, thuhet në deklaratë.

“Pasi që këto veprime shkojnë përtej të drejtës legjitime për të shprehur mendimet e kundërta, të cilat ne gjithmonë i mbështesim, ato janë plotësisht në mospërputhje me parimet themelore të qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit”.

Ambasadat theksojnë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe për marrëveshjet e arritura deri tash.

“Qëllimi strategjik i këtij procesi është për të mundësuar normalizimin gradual të gjendjes së Kosovës në rajon. Ky normalizim, dhe vendosja e marrëdhënieve të mira fqinjësore, janë në interes konkret dhe praktik të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Po ashtu, ky është shtegu i vetëm që çon në integrimet euroatlantike".

"Kosovarët nuk duhet ta lejojnë asnjë parti politike që ta sabotojë këtë proces”,
përfundon deklarata e pesëshes diplomatike.

Jahjaga fton qytetarët të mos bllokojnë rrugët

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u ka bërë thirrje “të gjithë qytetarëve të mos bllokojnë rrugët, të mos bllokojnë vendkalimet kufitare të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave”.

Në një deklaratë të lëshuar nga kabineti për informim i zyrës së presidentes, thuhet se “paralajmërimi i Lëvizjes “Vetëvendosje” për organizimin e protestave paqësore, për bllokimin e mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia, dhe për bllokimin e pikave kufitare në Merdarë dhe të Dheu i Bardhë, ka nxitur shqetësimet për mbarëvajtjen e këtyre protestave dhe për efektin e këtyre veprimeve”.

“E drejta e qytetarëve për të protestuar dhe në këtë mënyrë për të shprehur shqetësimet e tyre për një çështje është e drejtë legjitime dhe është e rregulluar edhe me Ligjet e Republikës së Kosovës. Organizimi i protestave paqësore nga një subjekt politik parlamentar, në këtë rast nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ngërthen më vete përgjegjshmërinë për formën, qëllimin, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e protestës”, citohet të ketë thënë presidentja Jahjaga.

Përcaktimin e “Vetëvendosjes” për të dalë në rrugë, zonja Jahjaga nuk e sheh si shterje të mundësive të veprimit brenda institucioneve të vendit.

“Vendi ynë ka nevojë për hapje të kufijve, për marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore dhe bilaterale me të gjitha shtetet dhe për anëtarësim të plotë në të gjitha strukturat, organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë”, thuhet në mes tjerash në deklaratën e presidentes Jahjaga.
XS
SM
MD
LG