Ndërlidhjet

Xhenifer Lopez dhe Irani


Xhenifer Lopez
Xhenifer Lopez

A është Xhenifer Lopez zgjidhja e shumë kërkuar për krizën bërthamore të Iranit?

A mund ta përmirësojë ajo përkeqësimin e situatës të së drejtave të njeriut në republikën islamike?

Nuk është në pyetje muzika, e as vallëzimi latin...

Të Bashkuar Kundër Iranit Bërthamor (UANI), është një grup që thotë se është duke punuar për të parandaluar Iranin nga "përmbushja e ambicieve të tij për të marrë armët bërthamore" - diçka që zyrtarët iranianë kanë refuzuar në mënyrë të përsëritur.

Thirrja tash i bëhet këngëtares Xhenifer Lopez për t'i dhënë fund partneritetit të saj me prodhuesit e makinave Fiat, nëse kompania refuzon të ndërpresë biznesin e saj me Iranin.

UANI pretendon se një degë Fiat-it, Iveco, shet dhe shpërndanë kamionë në Iran, të cilët thonë se përdoren nga regjimi për të transportuar raketa balistike dhe për ekzekutime publike.

UANI gjithashtu thotë se Fiat po planifikon të zgjerojë praninë e tij në Iran, me hapjen e një pikëshitjeje luksoze në Teheran.

Grupi nisi fushatën kundër Fiat-it vitin e kaluar dhe u bëri thirrje kompanisë për t'i dhënë fund biznesit të tyre në Iran.

Në një letër, presidenti UANI-it i ka kërkuar Xhenifer Lopezit, që është fytyra e Fiat-it, ose të përdorë pozitën e saj për të bërë ndryshim në kompaninë automobilistike të "papërgjegjshme" për politikat ndaj Iranit, apo të ndërpresë lidhjet e saj me kompaninë.

"Ju jeni duke shërbyer si zëdhënëse për një kompani që lirisht bën biznes me një regjim që është duke zhvilluar një program të armëve bërthamore të paligjshme, financimin dhe sponsorizimin e grupeve terroriste, duke përfshirë Al-Kaida, ka vrarë ushtarë amerikanë dhe të NATO-s dhe është i njohur në botë si një nga shkelësit kryesorë të të drejtave të njeriut", shkruhet fillimisht në letër.

Letra vazhdon:

"Disidentët politikë, aktivistët e të drejtave të njeriut, liderët e punës, gra, minoritete etnike dhe fetare, homoseksualët dhe studentët në Iran janë të ndaluar në mënyrë rutinore, të rrahur, përdhunuar, dhe i nënshtrohen formave çnjerëzore të torturës fizike dhe psikologjike”.

"Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara në tetor të 2011-s, janë të paktën 100 të mitur të dënuar me vdekje në Iran. Njëjti raport i Kombeve të Bashkuara thotë se të paktën 300 ekzekutime janë kryer fshehurazi në Iran vetëm në vitin 2010. Këto ekzekutime janë shpesh të egra dhe të pazakonta, dhe shpesh përfshijnë varjet publike dhe vrasjen me gurë”.

"Një degë e Fiat-it, Iveco, prodhon automjete që thuhet se janë përdorur nga regjimi iranian, si platforma për ekzekutime të tilla rrëqethëse publike. Nuk besojmë që ju do të donit emrin tuaj ose imazhin në një kompani të përfshirë në veprime të tilla".

Këngëtarja ende nuk është përgjigjur publikisht në letër.(g.k.)



Reklamë e Fiat-it me Xhenifer Lopez:
XS
SM
MD
LG