Ndërlidhjet

Religjioni mormon i Romnit

  • Heather Maher

Mit Romni

Mit Romni

Këtë javë, në politikën amerikane, çdo diskutim ka pasur të bëjë me kandidatin presidencial të Partisë Republikane, Mit Romni, i cili ka shënuar një moment të rëndësishëm më 10 janar, kur ka fituar zgjedhjet preliminare në Nju Hempshir.

Fitorja i rrit edhe më shumë shanset të jetë i zgjedhuri partisë së tij, që do ta sfidojë presidentin Barak Obama në muajin nëntor. Një javë më herët, Romni ka fituar një garë të ngjashme edhe në Ajoa.

Por, shfaqja e tij si sfidues i mundshëm i Obamës ka sjellë me vete edhe vëmendjen e shtuar të mediave dhe të opinionit publik. Si rezultat, amerikanët janë kureshtarë të dinë për atë që dinë shumë pak: religjionin mormon të Romnit.

Ndryshe nga fetë kryesore të botës, mormonizmi është një fe e re – më pak se 200 vjet e vjetër. Anëtarët e saj ndjekin mësimet e liderit fetar amerikan të shekullit 19, Xhozef Smith, i cili ka themeluar Lëvizjen e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Sot janë 6 milionë mormonë që jetojnë në Amerikë – çfarë do të thotë më pak se 2 për qind e popullatës. Kisha e tyre - Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e cila selinë e ka në Salt Llejk Siti, në perëndim të shtetit Utah, pretendon të ketë 14 milionë anëtarë në mbarë botën.

Mormonizmi ndan besime të ngjashme me Krishterimin – të dyja fetë e konsiderojnë Biblën libër të shenjtë, ndërsa besojnë në Zot dhe në Jezu Krishtin si shpëtimtarin e tij. Por, mormonët kanë pikëpamje të ndryshme mbi plotfuqishmërinë e Zotit, natyrën e përjetësisë dhe të pastruarit nga mëkati.

Për shumë të krishterë konservatorë të SHBA-së, dallimet janë të mjaftueshme për të ngritur dyshime të thella. Shumë nga ta e konsiderojnë mormonizmin si një lloj kulti. Edhe në Karolinën e Jugut, ku Romni po bën fushatë para zgjedhjeve të javës së ardhshme, shumica mendon ashtu.

Pra, në Shtetet e Bashkuara ka një dallim të madh në atë se si mormonët e shohin veten e tyre dhe si i shohin të krishterët ata. Një sondazh i Forumit “Pew” për Jetën Fetare dhe Publike ka gjetur se më shumë se gjysma e amerikanëve nuk e konsideron mormonizmin besim të krishterë. Ndryshe nga ta, 97 për qind e 1,000 mormonëve të anketuar thonë se e konsiderojnë të tillë.

Çështje tjetër, që konsiderohet jo pak problematike, është se mormonizmi lejon poligaminë. Kjo praktikë është shpallur e jashtëligjshme nga të gjitha shtetet amerikane dhe tani zbatohet vetëm në mesin e një numri të vogël të fundamentalistëve mormonë.

Megjithatë, kjo njollë mbetet dhe madje është temë e një programi televiziv në SHBA, të quajtur “Dashuria e Madhe”. Ai flet për një burrë mormon, që është një “poligamist modern” me tri gra.

Instituti i mormonizmit nuk ka qëndruar i heshtur ndaj shakave. Kisha është përpjekur të marrë kontrollin e imazhit me fushatën kombëtare mediatike, të quajtur “Unë jam mormon”.

Në reklamat televizive, panotë dhe videot e postuara në internet paraqiten njerëz të thjeshtë teksa bëjnë gjëra të zakonshme dhe theksojnë besimin e tyre në Zot dhe në Familje. Më pas deklarojnë: “...edhe, unë jam mormon”.

Mit Romni ka minimizuar identitetin e tij fetar pasi ka ndjekur garën presidenciale. Gjatë fushatës së tij të parë për Shtëpinë e Bardhë, katër vjet më parë, ai ka deklaruar: “Unë nuk e përcaktoj kandidaturën time me religjionin tim”.

Në vitin 2006, gjatë një interviste në radio, ai shfrytëzoi humorin për t’iu përgjigjur pyetjes së pakëndshme se cili është përkufizimi i tij për martesën.

Martesa është një marrëdhënie mes një burri dhe një gruaje dhe një gruaje dhe një gruaje”, ka thënë Romni para se të shtonte: “Po bëj shaka natyrisht”.

Por, kjo çështje është kthyer në lajmet e kësaj jave dhe nuk duket se do të largohet shpejt. “NBC News” së fundmi ka raportuar se stërgjyshi i Romnit ka pasur pesë gra.

Në Amerikë, feja konsiderohet çështje private deri në momentin kur kandidon për poste publike. (v.t.)
XS
SM
MD
LG