Ndërlidhjet

CEFTA gjatë 2011-s...


CEFTA
CEFTA
Kosova me sukses ka përfunduar presidencën e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me Evropën Qendrore gjatë 2011-s, thonë zyrtarë të ekzekutivit, përderisa njohës të çështjeve ekonomike, konsiderojnë se kryesimi i kësaj marrëveshjeje nga pala kosovare ka qenë i padukshëm.

Gjatë kësaj periudhe, Flamur Keqa, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se institucionet kosovare kanë qenë shumë aktive dhe kanë arritur që t’i eliminojnë disa probleme ekonomike sa i përket tregtisë së lirë me vendet e rajonit.

Një ndër sukseset e arritura gjatë vitit të kaluar, ai përmend edhe lejimin e hyrjes së mallrave kosovare në shtetin e Serbisë, pasi kjo e fundit që nga viti 2008 kishte bllokuar hyrjen e prodhimeve kosovare në shtetin e saj, duke shkelur në këtë mënyrë marrëveshjen e CEFTA-s.
Sa i përket Kosovës dhe ekonomisë së saj, në mënyrë konkrete është heqja e bllokadës, e cila ishte vendosur nga Serbia.

“Sa i përket Kosovës dhe ekonomisë së saj, në mënyrë konkrete është heqja e bllokadës, e cila ishte vendosur nga Serbia. Edhe pse kjo pjesërisht ka qenë e ndihmuar edhe nga dialogu teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, edhe një efekt tjetër që ka dalë nga kjo, është edhe zhbllokomi i taksës doganore apo lëvizjes së lirë, viza-vijë Bosnjë Hercegovinës, me të cilën lëvizje kanë pasur probleme bizneset kosovare që të eksportojnë mallrat e tyre në Bosnjë”, thotë Keqa.

Mirëpo, njohës të çështjeve ekonomike nuk shohin ndonjë të arritur gjatë kryesimit të CEFTA-s nga pala kosovare. Naim Gashi thotë se kryesimi i CEFTA-s ka qenë i padukshëm dhe i papërfillshëm.

Sa i përket heqjes së masave të reciprocitetit nga Serbia, Gashi nuk e konsideron sukses të arritur në kuadër të marrëveshjes CEFTA, pasi, sipas tij, kjo marrëveshje është arritur gjatë bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar në Bruksel.

Gashi shprehet se komuniteti i biznesit nuk ka pasur ndonjë përmirësim gjatë 2011, kur Kosova menaxhoi këtë mekanizëm.
...sa i përket prodhuesve dhe eksportuesve kosovarë, të arriturat kanë qenë zero.

“Me përjashtim të një konference që ka mbajtur ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila; ai ka qenë aktiviteti i vetëm që ka vërejtur opinioni publik dhe njohësit e ekonomisë në Kosovë. Përndryshe, sa i përket prodhuesve dhe eksportuesve kosovarë, të arriturat kanë qenë zero”, vlerëson Gashi.

Por, Flamur Keqa, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, shprehet i bindur se Kosova ka arritur sukses gjatë këtij mandati:

“Shpesh është përmendur se Kosova nuk ka qenë aktive. Por, mund t’ju garantoj se Kosova në këtë mekanizëm ka qenë shumë - shumë aktive dhe mendoj se edhe rezultatet në fund të vitit kanë treguar një menaxhim mjaft të mirë të këtij mekanizimi”.

Kosova, nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit 2011, ka kryesuar CEFTA-n, menaxhim të cilin e kishte marrë nga shteti serb.

Ndërsa, gjatë këtij viti, këtë mekanizëm e menaxhon Shqipëria. Flamur Keqa shpjegon se në muajit e ardhshëm Kosova në mënyrë formale do t’i dorëzojë kryesimin e CEFTA-s shtetit shqiptar.

“Tani mund të konsiderojmë se Shqipëria është duke e kryesuar CEFTA-n. Por, në aspektin formal mbahet një takim në muajin shkurt, eventualisht në muajin mars, ku bëhet një pranim-dorëzim formal, kurse ne si ish-kryesues për vitin 2011 raportojmë për rezultatet dhe punën që e kemi kryer. Në anën tjetër, Shqipëria, si kryesuese për vitin 2012, raporton për planet dhe aktivitete që do t’i ndërmarrë gjatë vitit 2012”, bën të ditur Keqa.

Sidoqoftë, CEFTA është krijuar me qëllim të eliminimit të pengesave për tregtinë reciproke mes shteteve anëtare të këtij mekanizmi. Kosova në vitin 2007, zyrtarisht është bërë anëtare e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e Evropës Qendrore.
XS
SM
MD
LG