Ndërlidhjet

logo-print
Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, të arrestuar më 12 janar, nën akuzat për korrupsion, nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës tashmë iu është shqiptuar masa prej 30 ditësh paraburgim sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj. Ndërkaq, Zenel Kuçit, udhëheqës i Zyrës së Prokurimit, dhe Hajrullah Fejzës dhe Bekim Fushës, udhëheqës të njësisë farmaceutike në Ministrisë e Shëndetësisë, kjo gjykatë u ka shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka shpjeguar se arrestimet në Ministrinë e Shëndetësisë kanë të bëjnë me vepra penale që ndërlidhen me korrupsion. Blerim Krasniqi, zëdhënës në EULEX, për Radion Evropa e Lirë tha:

Arrestimet kanë të bëjnë me vepra penale, që ndërlidhen me korrupsion, manipulim tenderësh, si dhe kontrata të dëmshme, e që për shkak të këtyre veprave është dëmtuar buxheti i Kosovës”.

Arrestimet kanë pasuar bastisjet nga Policia e Kosovës dhe misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, në objektet e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë se të katër zyrtarët e arrestuar tashmë janë pezulluar nga vendi i tyre i punës.
Sipas obligimeve të mia ligjore, në momentin kur një zyrtar i lartë qeveritar është i arrestuar nga policia, unë jam i obliguar ta pezulloj nga puna...


“Sipas obligimeve të mia ligjore, në momentin kur një zyrtar i lartë qeveritar është i arrestuar nga policia, unë jam i obliguar ta pezulloj nga puna, dhe për këtë e kam informuar kryeministrin e Kosovës”, deklaroi Agani.

Ilir Tolaj është arrestuar edhe një herë në vitin 2010, në kohën kur ka qenë këshilltar i ministrit Bujar Bukoshi, për shmangie nga tatimi për periudhën gjatë 2007-s, por në mungesë provash, rasti nuk ka vazhduar tutje.

Avokati mbrojtës i Tolajt, Bajram Tmava, tha se nuk ka shumë informacione për arrestimin e 12 janarit.

“Çka është duke ndodhur, unë, si avokat mbrojtës, në këtë çështje penale nuk jam në gjendje të jap asnjë informatë. Klienti im akuzohet që nga viti 2007. Është arrestuar, por unë nuk e kam vendimin se për çfarë është arrestuar".

"Tolaj, deri më tani, ka dhënë tri dëshmi, ka deponuar tri mbrojtje, një në Policinë e Kosovës, në Drejtorinë për krime ekonomike dhe dy te prokurorja e çështjes, e cila udhëheq tani rastin e z. Tolaj. Asnjëherë nuk na është ofruar ndonjë provë konkrete, në të cilën është dyshuar se Tolaj ka qenë i involvuar në kryerjen e ndonjë vepre penale”,
sqaroi Tmava.

Drejtues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thanë se aksioni i policisë ka qenë korrekt dhe se të arrestuarit nuk kanë pasur ndonjë vërejtje gjatë arrestimit dhe intervistimit. Behxhet Shala, drejtues i KMDLNJ-së, tha:

“KMDLNj i ka vizituar 4 të arrestuarit nga Ministria e Shëndetësisë. Neve na ka interesuar nëse janë keqtrajtuar gjatë arrestimit, nëse u është mohuar e drejta për avokat, dhe se a i dinë të gjitha të drejtat si njerëz të privuar nga liria. Sipas tyre, gjithçka ka qenë në rregull dhe ata nuk kanë pasur ndonjë vërejtje”.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG