Ndërlidhjet

Pengohet bllokimi


Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:07:07 0:00

Video: Gresa Kraja & Edona Peci

Dhjetëra të arrestuar e të plagosur është bilanci i protestës së Lëvizjes Vetëvendosje, pjesëtarët e së cilës me moton “Serbia nuk kalon” u nisën të shtunën në drejtim të pikave kufitare në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë për të protestuar, përmes bllokimit të këtyre pikave kundër, siç thanë ata, moszbatimit të masave të reciprocitetit nga qeveria e Kosovës.

Derisa pika kufitare te Dheu i Bardhë u bllokua për disa orë nga protestuesit, aksioni “bllokues” në Merdare, u pengua diku pesë kilometra më parë, pra në hyrje të rrugës që çon për në komunën e Podujevës.

Protestës i priu lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili tha se me bllokimin e rrugës nga policia po pamundësohet liria e lëvizjes në vend.

“Gjithmonë e dini se kanë thënë se Lëvizja Vetëvendosje po bllokon rrugë, lëvizja Vetëvendosje do ta pengojë qarkullimin e qytetarëve dhe se Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta lejojë qarkullimin e lirshëm. Në fakt, Qeveria e Kosovës po e bën këtë gjë. Ju po e shihni që sot na e kanë bllokuar lirinë e lëvizjes”, tha Kurti duke theksuar rëndësinë për mbajtjen e qetësisë nga ana e protestuesve.

Post-blloqet e shpeshta policore gjatë rrugës për në Merdare dëshmonin shtimin e masave të sigurisë, ndërsa disa orë para nisjes së aksionit të planifikuar, pjesëtarët e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës ishin pozicionuar në magjistralen që çon për në pikën kufitare, të cilën synonin ta bllokonin protestuesit.

U mblodhën mbi 300 protestues, numri i të cilëve deri në orën 14.30 arriti në mbi 500.

Me rritjen e numrit të protestuesve, u rrit dhe numri i policëve të njësive speciale, të cilët pas një ultimatumi pesë-minutësh për largimin e protestuesve, ndërhynë-fillimisht fizikisht, e më pas edhe me përdorimin e gazit lotsjellës dhe topave të ujit për të shpërndarë protestën.

Nga ana e protestuesve u hodhën gurë dhe gjësende të tjera. Ndërhyrja dhe bllokimi i magjistrales Prishtinë-Merdare u cilësua “jo korrekt” nga kreu i Vetëvendosjes, Kurti.

Ai tha se Qeveria e Kosovës, tani për 38 ditë me radhë, është duke shkelur vendimin e 7 dhjetorit të 2011-s të Kuvendit të Kosovës, me të cilin kërkohet reciprocitet i plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë.

Albin Kurti në mesin e protestuesve
Albin Kurti në mesin e protestuesve
"Nuk është korrekte që, në vend se ta bllokojnë Serbinë, të na bllokojnë neve. Serbia është shtet armik i Kosovës dhe i shqiptarëve. Serbia e ka të kaluarën kriminale në Kosovë; Serbia e ka të tashmen kriminale; Serbia i ka dhe planet kriminale për Kosovën”, u shpreh Kurti.

Pavarësisht kësaj, të paktën dy kamionë me auto-targa serbe kaluan pas orës 15 nga pika kufitare në Merdare, për në rrugën që çon për në Podujevë.

Autoritet doganore në vendkalimin kufitar në Merdare bënë të ditur se njëri kamion ka qenë transit, kurse tjetri ka transportuar miell nga Serbi në Kosovë.

Ndërkohë, mësohet se edhe protesta në pikën kufitare te Dheu i Bardhë u shpërnda rreth orës 18 me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës.

Plani për të bllokuar hyrjen e mallrave serbe është kundërshtuar ashpër si nga autoritetet kosovare, ashtu edhe ato ndërkombëtare, por aktivistët e Vetëvendosjes mbeten të vendosur për, siç thuhet, zbatimin e plotë të reciprocitetit tregtar, ekonomik dhe politik ndërmjet dy vendeve.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 7 dhjetor patën miratuar mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje për ndërmarrjen e masave të tilla.
XS
SM
MD
LG