Ndërlidhjet

logo-print

Mbi 140 të arrestuar




Intervenimi i Policisë së Kosovës ndaj protestuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët ishin nisur në drejtim të vendkalimeve kufitare me Serbinë, në Merdare dhe te Dheu i Bardhe, thuhet se rezultoi me arrestimin e mbi 140 protestuesve.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës thanë se gjatë intervenimit ka pasur të lënduar, si nga ana e protestuesve ashtu edhe nga radhët e pjesëtarëve të policisë.

Policia e Kosovës njofton se në magjistralen Prishtinë - Podujevë janë arrestuar 112 persona kurse në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë janë arrestuar 34 persona deri në këto momente”, bëri të ditur Sadriu, duke shtuar se janë lënduar 28 policë të Policisë së Kosovës.

Arrestimi i anëtarëve të Vetëvendosjes u konfirmua dhe nga aktivisti Xhelal Sfeqla.

Sipas informatave të fundit janë mbi 100 të arrestuar në Podujevë, kurse në Dheun e Bardhë dhjetëra aktivistë e deputetë, por arrestimi po vazhdon edhe derisa ne po flasim”, tha Sfeqla.

Sfeqla tha se dy nga aktivistë të lënduar në magjistralen Prishtinë - Podujeve janë të lënduar në kokë nga plumbat e gomës.

Të lënduarit thonë se janë të lënduar me plumba gome. Kurse dy të tjerë janë helmuar nga koncentrimi shumë i madh i gazit lotsjellës”, deklaroi ai.

Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se janë arrestuar deputetët Glauk Konjufca, Liburn Aliu, Visar Ymeri, Afrim Hoti, Albana Gashi, si dhe anëtarët e tjerë të lëvizjes, Ismajl Kurteshi, Boiken Abazi, Aida Dërguti, Alban Krasniqi, Kushtrim Morina dhe Premton Ibërdemaj e disa të tjerë.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës shprehu keqardhjen për veprimet, siç thuhet, të dhunshme të Lëvizjes Vetëvendosje.

Përmes një komunikate për media, Qeveria e Kosovës u bëri thirrje krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të shmangin “përdorimin e dhunës dhe përpjekjet për të penguar lëvizjen e lirë të garantuar me Kushtetutën e Kosovës”.

Ekzekutivi kosovar theksoi mbështetjen ndaj policisë së Kosovës, e cila thuhet se ka arritur ta mbajë nën kontroll “të plotë” situatën.

Lidhur me ngjarjet e së shtunës në dy pikat kufitare me shtetin serb, reagoi dhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.

“KMDLNJ vlerëson se intervenimi i policisë ka qenë i ngutshëm dhe i panevojshëm sepse askush nuk ka qenë i rrezikuar gjatë kohëzgjatjes së protestës. Qarkullimi i automjeteve ka qenë krejtësisht i reduktuar andaj është dashur të bëhen përpjekje që të tejkalohet kjo situatë në mënyrë paqësore".

"Duket se ka munguar vullneti për zgjidhje të problemit pa përdorim të forcës dhe janë ngritur tensionet pa pasur nevojë. Në raste të caktuara policia ka tejkaluar autorizimet duke përdorur forcë ndaj të arrestuarve”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e lëshuar nga kjo organizatë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG