Ndërlidhjet

Rumunët kërkojnë dorëheqjen e presidentit


Qindra rumunë kanë protestuar sot në Bukuresht kundër masave shtrënguese dhe reformave në sistemin e shëndetësisë, duke bërë thirrje për dorëheqje të presidentit, Trajan Basheskut.

Duke thirrur parullat “Dorëheqje” dhe “Pa frikë, sepse Basesku do të rrëzohet”, protestuesit marshuan në drejtim të pallatit presidencial, që vëzhgohej për së afërmi nga rreth 150 policë.

“Ne nuk mund ta durojmë më varfërinë, mjaft më”, i tha agjencisë së lajmeve, AFP, një grua e moshuar, Rodica Patran.

Ajo i është referuar ngrirjes së pensioneve dhe shkurtimit prej rreth 25 përqind të pagave publike, të miratuara në korrik të vitit 2010 nga qeveria e qendrës së djathtë.

Protestuesit janë mobilizuar përmes internetit dhe rrjeteve sociale, për t’u mbledhur në qendër të Bukureshtit, për të ngritur zërin e tyre dhe për t’u solidarizuar me themeluesin e shërbimeve mjekësore rumune të emergjencave, Raed Arafat.

Mjeku palestinez ishte detyruar të jepte dorëheqje më herët këtë javë, pas një mos pajtimi me presidentin Bashesku, lidhur me projektligjin kontravers lidhur me reformat në shëndetësi.

Qindra rumunë gjithashtu kanë protestuar në qytete të tjera, duke bërë thirrje për dorëheqje të Basheskut dhe të kryeministrit Emil Boc.
XS
SM
MD
LG