Ndërlidhjet

Kriza e euros zvarrit integrimet


Ilustrim
Ilustrim
Bashkimi Evropian mund të vë në plan të dytë integrimin e vendeve aspiruese të Ballkanit Perëndimor për shkak të krizës në eurozonë, mendojnë deputetë dhe analistë kosovarë.

Nëse deri më tani, perspektiva integruese e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian varej nga niveli i funksionimit të demokracisë dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit, tani në kohën e krizës në eurozonë, vlerësohet se BE-ja mund t’i shtrëngojë dhe t’i ashpërsojë edhe më tepër kriteret për integrim.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, mendon se zgjerimi i BE-së ka mbetur tashmë nën hijen e krizës së euros. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se perspektiva evropiane e vendeve të rajonit nuk do të humbet, por mund të zvarritet dukshëm për shkak të prioriteteve tjera që ka Bashkimi Evropian.

Lutfi Haziri
Lutfi Haziri
“Nuk po shkohet drejt mbylljes së perspektivës, por drejt zvarritjes po. Ajo që fillon si përvojë për ne si rajon, nga Sllovenia e deri te Shqipëria, tregon qartë që procesi është i gjatë, teknikisht i vështirë dhe shumë herë duhet të negociohet. Kosova nuk e ka të drejtën e negocimit edhe më tutje, andaj edhe po i zhvillon katër dialogë paralelisht me Brukselin”, thotë Haziri.

Për analistin Shenoll Muharremi skepticizmi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i njëjtë me atë që dikur kishin vendet e Evropës Lindore pas epokës së komunizmit. Por, që perspektiva evropiane të mos shihet me skepticizëm, thotë Muharremi, këto vende duhet ta dëshmojnë fillimisht vendosjen e një rendi ligjor dhe luftimin e dukurive negative.

“Nëse një vend e toleron krimin e organizuar, korrupsionin, mos-mbrojtjen e ambientit dhe moskujdesin ndaj qytetarëve të vet, ai vend nuk është evropian dhe për këso vende ka skepticizëm. Por, nëse një vend i ndërmerr reformat dhe transformohet, si nga aspekti politik, ashtu edhe nga ai ekonomik e social, prej një vendi ballkanik në një vend evropian, atëherë edhe perceptimi në BE ndryshon”, shpreh mendimin e tij Muharremi.

Sa i përket Kosovës, procesi integrues mendohet të jetë një temë për diskutim diku pas 6 apo 7 viteve. Por, ajo që aktualisht u intereson kosovarëve në këtë proces, është liberalizimi i vizave.

Megjithatë, në kohën kur BE-ja po zhytet në krizë, kurse vendet si Kosova me papunësi të thellë mund të shihen si problematike për eksportimin e një numri të konsiderueshëm të njerëzve që mund të kërkojnë punë në forma edhe jolegale nëpër vendet e BE-së, skepticizmi vetëm sa mund të rritet.

Analisti Shenoll Muharremi thotë se azilkërkuesit potencialë kosovarë mund të shihen si armiku më i madh i procesit të liberalizimit të vizave.

Shenoll Muharremi
Shenoll Muharremi
“Azilkërkuesit janë armiqtë më të mëdhenj sa i përket liberalizimit të vizave me Shengenin. Andaj, kjo na bën të kuptojmë që zhvillimi socio-ekonomik i Kosovës është ngushtë i lidhur me lëvizjen e lirë, ngaqë nuk ka kuptim që të ketë lëvizje të lirë dhe, njëkohësisht, të ketë dhjetëra mijëra kosovarë që shkojnë e kërkojnë azil te vendet e BE-së”, thotë për Radion Evropa e Lirë Muharremi.

Më 19 janar pritet që Brukseli t’i jap Kosovës një udhëzues apo udhërrëfyes në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave. Sfidat e Kosovës konsiderohen të jenë teknike si edhe për të gjitha vendet tjera, por edhe politike, qoftë për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga të gjitha vendet e BE-së, apo edhe për faktin se ajo ka probleme në veri të vendit.

Deputeti Lutfi Haziri thotë se këto probleme duhet zgjidhur para se vendi të shpresojë që të përfshihet, qoftë në lëvizjen e lirë, apo edhe drejt vendit aspirant për integrim gjatë viteve të ardhshme.

“Procesi do të jetë më i gjatë sesa përvoja që ka treguar në vendet tjera, sepse çdo përvojë për Brukselin, e nxjerrë nga shtetet, nënkupton edhe ashpërsim të kursit dhe kritereve. Kështu që, Kosova është vendi i fundit në Ballkan, ndërsa paralelisht dihet se Brukseli po zhvillon dialog edhe me Rusinë, Ukrainën, Afganistanin dhe me disa shtete tjera”, thekson Haziri.

Bashkimi Evropian në shumë raste u ka kumtuar vendeve të rajonit të Ballkanit se perspektiva e tyre evropiane është e qartë. Por, këto vende, përveç problemeve të brendshme me sundimin e ligjit, krimin dhe korrupsionin, ballafaqohen edhe me mosmarrëveshje ndër fqinjësore.

Andaj, kur të gjitha këtyre problemeve u shtohet edhe kriza e euros, njohësit e këtyre proceseve në Prishtinë mendojnë se nëse nuk do ta rrezikojnë perspektivën evropiane të këtyre vendeve, integrimi i tyre për në BE mund të kalojë përmes një rruge shumë më të gjatë sesa që ishte paramenduar.
XS
SM
MD
LG