Ndërlidhjet

Policia e Kosovës thotë se gjendja është normalizuar


Policia e Kosovës bëri të ditur se nga mbi 140 personat e arrestuar të shtunën, 15 vazhdojnë të jenë të ndaluar edhe të dielën. Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ai njoftoi se në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë ku u zhvillua protesta e Lëvizjes Vetëvendosje një ditë më parë, pra në Merdarë dhe Te Dheu i Bardhë, gjendja është normalizuar sërish dhe se rrugët janë të lira për qarkullim.

I pyetur për akuzat e Vetëvendosjes që flasin për përdorim të tepruar të forcës gjatë shpërndarjes së protestave, zëdhënësi Kelani u shpreh:

“Në asnjë mënyrë Policia e Kosovës nuk ka ushtruar dhunë të tepruar dhe asnjë personi nuk i ka shkaktuar dhunë të tepruar. Policia e Kosovës ka përdorur forcë proporcionale të arsyeshme dhe të domosdoshme për të vënë nën kontroll situatën”, tha ai.

Gjatë protestave të së shtunës të lëvizjes Vetëvendosje në pikat kufitare Merdarë dhe Te Dheu i Bardhë, policia arrestoi 146 protestues.

Gjatë protestës u plagosën dhjetëra persona - si nga radhët e protestuesve ashtu edhe nga radhët e Policisë së Kosovës. Thuhet se numri i policeve të lënduar është 32.
XS
SM
MD
LG