Ndërlidhjet

Observer: Rivalët e Romnit e ndihmojnë Obamën*


Mit Romni
Mit Romni
"Observer"

Rivalët e Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara e portretizojnë Mit Romnin si financier i pashpirt. Nëse ai fiton në garën e ardhshme në Karolinën Jugore, demokratët thonë se do ta shfrytëzojnë këtë karakteristikë.

Lufta e ashpër për nominimin republikan, që me gjasë do ta hedhë në sipërfaqe Mit Romnin, si kandidat të partisë për zgjedhjet presidenciale, po ofron arsenal të municionit potencial për demokratët.

Derisa beteja e fuqishme po zhvillohet, një grup i konservatorëve socialë janë bashkuar për ta kundërshtuar ish-guvernatorin e Masaçusetsit, Mit Romni, i konsideruar si më tepër i moderuar, ndërsa strategët demokratë po i përgatisin linjat potenciale të sulmit kundër Romnit.

Ata po e identifikojnë një numër të fushave, në të cilat ata besojnë se Mit Romni ka dobësi, kuptohet nëse ai praktikisht e siguron nominimin republikan me fitoren në Karolinën Jugore, më 21 të këtij muaji.

Në këto fusha përfshihet puna e Mit Romnit si financier, në një firmë që i kishte mbyllur kompanitë dhe i kishte lënë pa punë punëtorët, pasuria e tij e madhe në Uall Street dhe historia e ndryshimit të opinioneve.

“Shtëpia e Bardhë do të argumentojë se ai është milioner gjakftohtë dhe i paprekshëm, me të arritura punuese nën pikëpyetje”, tha Leri Has, komentator politik dhe ish-ndihmës i Bill Klintonit në Shtëpinë e Bardhë dhe shtoi se: “Shtëpia e Bardhë me gjasë do ta theksojë atë se Romni nuk është në anën e amerikanëve të zakonshëm”.

Lufta e brendshme republikane tashmë ka bërë punë të madhe për presidentin Barak Obama dhe planifikuesit e tij për rizgjedhje. Gjatë kësaj jave që po kalon, dy nga rivalët kryesorë të Romnit, ish-kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Kongresit, Njut Gingriç, dhe guvernatori i Teksasit, Rik Peri, në mënyrë brutale e kanë sulmuar kohën e Romnit si shef i firmës Bain Capital.

Peri disa herë e ka theksuar kohën e Romnit në këtë firmë, shpeshherë duke përdorë fjalor rrëqethës, nga i cili do të largoheshin edhe demokratët liberalë.

Peri tha se Romni ishte një “grabitqar”, stili i biznesit i të cilit ushqehet me “eshtrat” e punëtorëve amerikanë. Ai tashmë i ka aktualizuar dy raste specifike në Karolinën Jugore, ku kompanitë lokale ishin mbyllur nga firma Bain, në përpjekje për t’i nxitur ndjenjat anti-Romni.

Rik Perit, në këtë luftë, i është bashkuar Gingriç dhe mbështetësit e tij. Në një shkëputje të jashtëzakonshme për figurën që normalisht ndërlidhet me mbrojtjen e fuqishme të stilit amerikan të kapitalizmit, zoti Gingriç, po ashtu, e ka kritikuar ashpër kohën e Romnit në firmën Bain Capital, si një kërkim për pasurim, mbi të gjitha.

Por, mbështetësit e Gingriçit, të tubuar në grupin e quajtur Duke e Fituar Ardhmërinë Tonë (DFAT), kanë shkuar edhe më larg.

Ky grup i njohur si komitet i super-aksionit politik, që mund të shpenzojë para pakufi në çështje, por e ka të ndaluar koordinimin me fushatën e kandidatit, e ka financuar një film gjysmëorësh, me emrin “Kur Mit Romni erdhi në qytet”.

Në këtë dokumentar pasqyrohet puna e Romnit në firmën Bain dhe paraqiten intervista emocionale nga njerëzit që e kanë humbur vendin e punës derisa Bain i kishte mbyllur kompanitë e tyre.

DFAT e ka paraqitur filmin në Internet dhe pjesë të tij i ka transmetuar si spote sulmuese në televizion, që i kanë vërshuar valët në Karolinën Jugore, e që janë paguar nga një donacion multimilionë dollarësh nga një pronar i kazinosë.

Kjo luftë civile, po ashtu, po e trazon udhëheqjen e Partisë Republikane, e cila është e shqetësuar se Peri, Gingriç dhe aleatët e tyre po e bëjnë punën e demokratëve dhe republikanëve po u shkaktojnë dëm të madh.

Në Karolinën Jugore, madje disa mbështetës kryesorë të Gingriçit ishin të shokuar.

Paul Anderko, zëvendëspresident i organizatës Konservatorët në Aksion, i tha gazetës Observer, se sulmet në kompaninë Bain ishin shenjë e dëshpërimit.

“Republikanët po bëjnë gabim që po e sulmojnë Romnin në këtë mënyrë”, thotë Anderko dhe shton se “kjo i jep karburant fushatës së Obamës”.

Por, nuk është vetëm tema e firmës Bain, që demokratët planifikojnë ta sulmojnë, nëse Romni paraqitet si i nominuar republikan, pas garës së ashpër në Karolinën Jugore.

Në përpjekje që të arrijë sukses ndër konservatorët socialë në bazën republikane, Mit Romni e ka përqafuar qëndrimin anti-abort dhe ka kaluar fuqishëm në anën e kundërshtarëve të martesave të homoseksualëve.

Por, si guvernator i Masaçusetsit, Romni kishte krejtësisht pozicion të ndryshëm dhe më të moderuar.

Këto ndryshime paraqesin armë të fuqishme për t’u shfrytëzuar në një fushatë zgjedhore dhe Romni e ka një famë të keqe, edhe në mesin e republikanëve, si dikush që i ndryshon bindjet për përfitime politike.(f. b.)

*Titulli është zgjedhur nga redaksia
XS
SM
MD
LG