Ndërlidhjet

logo-print

Vazhdojnë protestat në Rumani


Në qytetet rumune kanë vazhduar edhe sot protestat, që reflektojnë zemërimin e përgjithshëm kundër masave shtrënguese dhe qeverisë së vendit.

Protestat, në ditën e tyre të katërt, janë më seriozet që nga koha e ardhjes në fuqi në vitin 2004 të presidentit të tanishëm, Trajan Bashesku.

Këto protesta vijnë si rezultat i pakënaqësisë publike për shkurtimin e pagave publike dhe përfitimeve, pastaj kundër taksave të larta, favorizimit të miqëve në institucionet shtetërore dhe përhapjes së korrupsionit.

Qindra njerëz të të gjitha moshave kanë protestuar sot në një shesh të Bukureshtit, një ditë pasi protestuesit u përplasën me policinë.

Ata thirrnin “Poshtë Bashesku”, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme.

Policia ka njoftuar se më shumë se 3000 njerëz kanë protestuar sot në qytetet jashtë Bukureshtit.

Ndërkohë, kryeministri i vendit, Emil Boc ka thënë se zgjidhja e vetme është dialogu, e jo gjuajtja me gurë, gjë që mund të rrezikojë jetërat e njerëzve.

Nëntë persona u lënduan gjatë protestave të djeshme dhe kërkuan ndihmë mjekësore.

Ndërsa presidenti i Rumanisë, Trajan Bashesku ende nuk ka dhënë ndonjë koment lidhur me protestat.
XS
SM
MD
LG