Ndërlidhjet

OSBE kritikon zgjedhjet në Kazakistan


Vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se zgjedhjet parlamentare në Kazakistan kanë dështuar të përmbushin parimet themelore demokratike.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thotë se një gjë e tillë ka ndodhur me gjithë ambiciet e autoriteteve “për të forcuar proceset demokratike”.

Vëzhguesit e OSBE-së po ashtu theksojnë se autoritetet do të duhej të lejonin më shumë parti opozitare të merrnin pjesë në zgjedhje.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kazakistan ka bërë të ditur se tri parti kanë fituar të drejtën për të hyrë në parlament, pasi kanë siguruar mbi 7 për qind të votave, në zgjedhjet e së dielës.

Sipas rezultateve preliminare, partia e presidentit Nursultan Nazarbajev ka korrur fitore dërrmuese me 80.7 për qind të votave.

Atë e pason partia pro biznesit me 7.5 për qind të votave dhe ajo komuniste, për të cilën kanë votuar 7.2 për qind e votuesve.

Kazakistani ka miratuar ligjin e ri zgjedhor që ka për qëllim t’i japë fund dominimit të vetëm një partie.
XS
SM
MD
LG