Ndërlidhjet

logo-print

Vestervelle: Bisedimet – në interes të Kosovës dhe Serbisë


Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Guido Vestervelle, u ka bërë thirrje sot Kosovës dhe Serbisë, që të tregojnë “fleksibilitet maksimal” dhe të sigurojnë përparim të mëtejshëm në dialogun, që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ai ka kërkuar “arritje të shpejtë të përparimit të mëtejmë në bisedime, pasi kjo është në interes të Kosovës dhe Serbisë dhe në interes të stabilitetit rajonal”.

Këto komente ministri Vestervelle i bëri sot në Berlin, pas takimit me ministrin e jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Duke përkujtuar se Gjermania e mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe perspektivën e saj evropiane, ministri i jashtëm gjerman ka theksuar se Gjermania, në masë të konsiderueshme, ka kontribuar që të fillojnë bisdimet e BE-së dhe Kosovës për liberalizim të vizave.

Por, sipas tij, që kjo të ndodhë, duhet “në tërësi të plotësohen të gjitha kushtet e parapara”.

Ministri Enver Hoxhaj tha se pret që këtë vit të arrihet “përparim i theksuar” në negociatat e BE-së dhe Kosovës për liberalizim të vizave.
XS
SM
MD
LG