Ndërlidhjet

Friedrich: Bruer dhe Koner – shembull për të gjithë


Qeveria e Gjermanisë sot i ka nderuar me çmimin më të lartë kombëtar civil, dy amerikanët që ndihmuan në zënien e ekstremistit islamik, pasi ai i kishte sulmuar ushtarët amerikanë në aeroportin e Frankfurtit, dhe i kishte vrarë dy prej tyre.

Ministri i brendshëm gjerman, Hans-Piter Friedrich, u ka dhënë Kryqin Federal për Merita, ushtarit amerikan, Trevor Bruer, dhe punëtorit civil të aeroportit, Lamar Koner, që e kishin ndjekur të dyshuarin Arid Uka, derisa policia e kishte zënë atë. Me këtë rast ministri gjerman theksoi se vepra e tyre “ishte një shembull për të gjithë ne”.

Kundër shqiptarit nga Kosova, Arid Uka, 21 vjeçar, aktualisht po mbahet procesi gjyqësor për vrasje. Ai e ka pranuar se i ka kryer vrasjet dhe mund të ballafaqohet me dënim me burgim të përjetshëm.

Vendimi i gjykatës është paralajmëruar për të enjten.

“Ky ishte një sinjal i rëndësishëm se në aktin e parë ekstremist islamik në Gjermani, i dyshuari ishte ndalur në rrugën e kryerjes së krimit të tij nga njerëzit e guximshëm dhe ishte arrestuar”, tha Friedrich, gjatë një ceremonie në Ministrinë e brendshme të Gjermanisë, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan, Filip Mërfi.

Ushtari amerikan, Trevor Bruer tha se ai ishte në autobus, kur Uka i filloi të shtënat. Pastaj Uka ia kishte vënë revolen në kokë atij dhe e kishte tërhequr këmbëzen. Por, revoja ishte bllokuar dhe nuk kishte shkrepur.
XS
SM
MD
LG