Ndërlidhjet

FT: Kapitalizmi në krizë


Slogan nga protestat në Londër...
Slogan nga protestat në Londër...
"Financial Times"

Disa vjet më parë, do të kishte qenë e vështirë, nëse jo e pamundur, të imagjinoheshin liderët evropianë duke kërkuar nga Kina shpëtim financiar. Po ashtu, pak do të kishin parashikuar se udhëheqësit kinezë që vizitojnë Uashingtonin, do të shanin publikisht politikë-bërësit amerikanë për keqmenaxhimin e ekonomisë më të madhe botërore. Por, bota ka ndryshuar!

Kolapsi i vitit 2008 i sistemit financiar në SHBA dhe Evropë, si dhe kriza evropiane e borxheve e vitit të kaluar, e kanë përshpejtuar zhvendosjen e vrullit ekonomik tek Azia.

Në vitin 2012, SHBA-ja dhe Evropa ka gjasë që të flirtojnë me recesionin për shumicën e kohës.

Ndryshimi dramatik i fateve ka sjellë një shkallë të triumfit në mesin e disa aziatikëve. “Nuk ka krizë të kapitalizmit”, thotë Megnad Desai, profesor i njohur në “London School of Economics”.

“Ka një krizë në kapitalizmin perëndimor. Kapitalizmi dinamik, me energjinë dhe risitë e tij përshëndesin një rritje që lëvizë drejt lindjes”, thotë ai, duke shtuar se janë njerëzit e jugut, në përgjithësi, dhe Azia në veçanti, që po i menaxhojnë më mirë forcat e kapitalizmit fitimprurës.

Sipas gazetës, teknokratët aziatikë, të cilët kishin vënë besimin e tyre në një zhvendosje graduale të tregut të lirë e të kapitalizmit, që shpeshherë janë në kundërshtim me kombëtarët në shtëpi, janë të hutuar dhe të zhgënjyer.

Shangjong Ri, një shef i ekonomisë në Bankën Aziatike për Zhvillim, thotë se ai ndjen kuptimin e çrregullimit intelektual. Shumica e hutisë, thotë ai, vjen nga fakti që qeveritë perëndimore i kanë ndryshuar në mënyrë radikale mendimet e tyre, që nga kriza financiare e Azisë në vitin 1997.

Në atë kohë, Fondi Monetar Ndërkombëtar përshkroi mjekim drastik për ekonomitë e Tajlandës, Indonezisë dhe Koresë së Jugut. Këtyre vendeve u patën thënë që t’i shkurtojnë shpenzimet qeveritare, si dhe t’i rrisin normat e interesit.

Tani, ekonomive perëndimore po u përshkruhen pothuajse mjekimet e kundërta. Ato po i shkurtojnë normat e interesit dhe po i përdorin paratë e shtetit, për t’i shpëtuar bankat.

Kriza e kapitalizmit në perëndim ngritë shumë pyetje për administrimin e duhur të ekonomive aziatike. Tema e përbashkët është: Sa rol aktiv duhet të ketë shteti?

Ekonomitë aziatike janë kritikuar nga ekspertët perëndimorë se janë shumë ndërhyrëse.

Por, pas kaq shumë ligjëratave nga Perëndimi, aziatikët mund të përjetojnë pak kënaqësi nga sikleti amerikan dhe evropian. Po e vërteta është se asnjë vend aziatik nuk ka dalë me një model më të mirë. Ekonomia e vetme më e madhe aziatike që mund të hyjë për një fije floku në standardet e jetesës amerikane është Japonia.

Kina ka prodhuar një makineri për të prodhuar rritje të shpejtë në vendin e varfër. Por, nuk ka garanci se sistemi i saj do të jetë në gjendje të përputhet me standardet e jetesës perëndimore, pa ndonjë rishikim radikal.

Në mungesë të diçkaje më të mirë, qeveritë e Azisë që duan të rrisin të ardhurat e njerëzve të tyre do të duhet t’u nënshtrohen sërish shijeve të kapitalizmit.

Sigurisht, brenda përkufizimit të gjerë të kapitalizmit, shteti mund të jetë më i madh ose më i vogël, mund të ndërhyjë më shumë ose të planifikojë më pak. Këto alternativa të politikave janë çështje diskutimi në shumë shtete të Azisë.

Por, kur vjen puna për të ecur përpara, shumica janë të bindura nga kapitalizmi. Për ta mbetet sistemi më i keq i mundshëm ekonomik - me përjashtim të të gjithë sistemeve të tjera.(v.k.)
XS
SM
MD
LG