Ndërlidhjet

Kurti: S'lejojmë degradimin në republikë qeveritare


Protesta e 14 janarit
Protesta e 14 janarit
Ne nuk jemi kundër, por plotësisht në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje. Siç thekson ai, të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, janë shtete, të cilat i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre përmes reciprocitetit. Sipas tij, kundërshtimet që shtetet e Kuintit i kanë shfaqur me rastin e protestës së 14 janarit, kanë qenë të ndikuara nga Qeveria e Kosovës, e cila, siç u shpreh ai gjatë tërë kohës ka përmendur dhunën. Ai thotë se Kuvendi i Kosovës është institucion, i cili është i rrezikuar dhe i cenuar nga Qeveria e Kosovës, për shkak se kjo e fundit nuk i përfillë vendimet e saj.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, protesta e 14 janarit nuk përfundoi në formë paqësore. Ju keni paralajmëruar edhe një protestë tjetër për datën 22 janar, ndërkohë që kritikat në adresën tuaj po shtohen gjithnjë e më shumë për mosrespektim të parimeve thelbësore të BE-së. Jeni kundër këtyre parimeve?

ALBIN KURTI
Ne nuk jemi kundër parimeve të Bashkimit Evropian dhe konsiderojmë se reciprociteti është parim dhe vlerë e Bashkimit Evropian. Të gjitha shtetet anëtare në Bashkimin Evropian janë shtete, të cilat i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre nëpërmjet reciprocitetit, nëpërmjet njohjes së ndërsjellë, nëpërmjet marrëveshjeve të shumta bilaterale që i bëjnë. Dhe, kësisoj, pra, ne jemi plotësisht në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, protesta e 14 janarit, ishte protestë paqësore prej fillimit e deri në fund. Ajo çfarë ishte e dhunshme më 14 janar, ishte ndërhyrja dhe sulmi i Policisë së Kosovës, sipas urdhrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Pesëshja diplomatike ka tërhequr vërejtjen se pasojat që do të ndodhin nga protestat e këtilla do t’i bart Lëvizja Vetëvendosje. Jeni të gatshëm për këtë lloj përballjeje me komunitetin ndërkombëtar?

Albin Kurti në protestën e 14 janarit...
Albin Kurti në protestën e 14 janarit...
ALBIN KURTI
Paraprakisht, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e hiqte nga goja fjalën dhunë dhe mendoj që ata kanë ndikuar që deklarata e Kuintit të jetë e tillë. Pra, Kuinti po e ndiqte perceptimin e Qeverisë të Republikës së Kosovës. Por, pas 14 janarit, u dëshmua që, në fakt, ata të cilët flisnin për dhunë, kishin edhe një plan të dhunshëm. Pra, ishte Qeveria e Republikës së Kosovës ajo, e cila urdhrat politikë i kishte mbi Policinë e Kosovës dhe kësisoj, në kundërshtim me ligjin në Kosovë. Pra, urdhrat politikë mbi Policinë e Kosovës ishin vendosur sipër ligjit në Kosovë, prandaj edhe nuk kishte në fakt kurrfarë zbatimi të ligjit më 14 janar.

Besoj që u pa që pas protestës së 14 janarit, ambasadorët e Kuintit filluan të flasin shumë më butë, sepse e panë që deklarata e tyre nuk i ishte referuar realitetit, por perceptimit, të cilin dëshironte ta krijonte Qeveria e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, kryeministri Thaçi, por edhe Policia e Kosovës, kanë thënë se dhuna ka filluar nga Vetëvendosja...

ALBIN KURTI
Nuk është e vërtetë. Ne jemi bllokuar në lirinë tonë të lëvizjes në mënyrë të trefishtë atë ditë. Së pari, çdo pak kilometra, anë e kënd Kosovës, e posaçërisht te rrugët që çojnë në Merdare dhe te Dheu i Bardhë, kanë qenë postblloqe të shumta të policisë, të cilat kanë kontrolluar dhe bastisur autobusët dhe automjetet e protestuesve paqësorë, me ç’rast nuk e kanë gjetur madje as edhe një brisk dore dhe asnjë mjet të fortë.

Kur kemi filluar me marshin tonë paqësor në drejtim të Merdares, 5 kilometra jashtë prej Merdares, larg prej kësaj pike kufitare, ne jemi bllokuar nga kordoni i policisë dhe, paralelisht, edhe shqiptarët, që po solidarizoheshin me ne dhe dëshironin ta mbështesnin këtë protestë paqësore, nga Shqipëria e Maqedonia, u bllokuan në kufi.

Mendoj se bllokimi i lirisë së lëvizjes, i qarkullimit të lirë, ka ndodhur pikërisht nga Qeveria e Kosovës, përmes urdhrave të saj politik mbi Policinë e Kosovës. Paraprakisht, e dimë që Qeveria nuk e hiqte nga goja fjalën dhunë. Ajo kishte strategji policore për dhunë. Bëhet fjalë, pra, për një politikë policore të Qeverisë, e cila, për pasojë, edhe policinë po e bën politike. Mendoj se të gjitha akuzat, ofendimet, shpifjet, u dëshmuan si të pabaza. Posa na sulmoi Policia e Kosovës, më 14 janar, ne u ulëm në asfalt, në rrugë dhe ata vazhduan me sulmin e tyre. Mendoj se i gjithë opinioni publik, jo vetëm i Kosovës, e ka parë se kush kishte plan për dhunë dhe kush ushtroi dhunë më 14 janar.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se “askush nuk ka të drejtë të përdorë të drejtën e protestës, për të vënë në rrezik funksionimin normal të institucioneve legjitime të shtetit të Kosovës”. Bllokimin e kufirit a e shihni si rrezikim të institucionit?

ALBIN KURTI
Institucioni që është rrezikuar dhe, madje, është cenuar në Republikën e Kosovës, është organi më i lartë përfaqësues, legjislativ dhe politik i Republikës së Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës, i cili me datën 7 dhjetor (vitin e kaluar) e mori vendimin për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë - një vendim ky që nga Qeveria e Kosovës u shpërfill.

Pra, është e domosdoshme që Qeveria e Republikës së Kosovës ta kuptojë që Republika e Kosovës është republikë parlamentare dhe nuk do të lejojmë që ajo të degradojë në republikë qeveritare. Sepse, asisoj, shteti i pavarur i Kosovës do të përfundojë me një qeveri diktatoriale, pa republikë.
Kryeministri aktual pati deklaruar se vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës është një opinion apo një mendim i Kuvendit. Por, Kuvendi nuk jep mendime. Kuvendi sjell vendime, të cilat Qeveria e Republikës së Kosovë duhet t’i zbatojë dhe ato vendime janë të obligueshme.

Pra, është e domosdoshme që Qeveria e Republikës së Kosovës ta kuptojë që Republika e Kosovës është republikë parlamentare dhe nuk do të lejojmë që ajo të degradojë në republikë qeveritare. Sepse, asisoj, shteti i pavarur i Kosovës do të përfundojë me një qeveri diktatoriale, pa republikë. Dhe, së fundmi, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të mësohet që protesta paqësore e qytetarëve të Kosovës është e drejtë universale, është e ligjshme dhe është vlerë demokratike.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a mendoni se duhet një parti politike ta marrë rolin e asaj çfarë duhet ta kryejnë institucionet? Vërtet, mendoni se janë shterur të gjitha mundësitë?

ALBIN KURTI
Ne nuk mund ta marrim rolin e institucioneve. Por, ne kemi bërë protestë paqësore, pikërisht për shkak se janë shkelur institucionet. Ka pasur reciprocitet me Serbinë me datën 14 janar aq sa kishte protestë. Dhe, këtë reciprocitet po e zbatonte Policia e Republikës së Kosovës, e cila ndodhej atë ditë në afërsi të pikave kufitare te Dheu i Bardhë dhe Merdare, duke mos lejuar automjetet dhe kamionët që vinin nga Serbia.

Është e drejtë e jona që ta zbatojmë këtë reciprocitet, e qe besa, është edhe interes i yni. Protesta jonë nuk ka qenë vetëm në mbrojtje të republikës, nuk ka qenë vetëm kundër Serbisë, por ka qenë edhe për prodhimin vendor. Jam i bindur që nuk ka pasur kurrfarë provokimi nga ana jonë, por ka pasur vetëm sulme nga ana e Qeverisë mbi neve, së pari deklarativisht, e mandej edhe fizikisht. Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm. Ai pret që të zbatohet nga Qeveria, e cila e ka përgjegjësi një gjë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, cilat janë format që ju keni shfrytëzuar deri më tani për të nxitur zbatimin e mocionit të Kuvendit të Kosovës?

ALBIN KURTI
Janë bërë 41 ditë prej se është miratuar vendimi në Kuvendin e Kosovës për reciprocitet të plotë me Serbinë dhe janë bërë 41 ditë, prej se shkelet për çdo ditë ky vendim. Ne këtë e kemi thënë për çdo ditë në diskutime, debate, në parlament, jashtë tij, në media, në tubime me qytetarë. Madje, i patëm dhënë afat Qeverisë që deri më 1 janar t’i bëjë përgatitjet e duhura për ta zbatuar këtë reciprocitet. Mirëpo, duhet ta keni parasysh se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk thoshte “nuk mund ta zbatojë reciprocitetin”. Por, na shpërfillte duke thënë që ai është vetëm një opinion.

Pra, ata kanë treguar që nuk kanë interes, as ndërgjegje dhe as vullnet për ta zbatuar një vendim të tillë. Pra, ka rebelim të Qeverisë së Kosovës ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës. Duke u sjellë në këtë mënyrë rebele, Qeveria e Republikës së Kosovës po e degradon republikën tonë parlamentare.

Në anën tjetër, duke përzgjedhur Qeveria se cilin vendim, qëndrim apo ligj të Kuvendit ta zbatojë e cilin jo, po sillet në mënyrë arbitrare dhe po prodhon anarki. Ne jemi kundër kësaj. Ne jemi për rregull, ligjshmëri, kushtetutshmëri dhe jemi që republika jonë parlamentare, ashtu siç e ka emrin dhe përmbajtjen, të jetë edhe në realitetin e përditshme të jetës politike, institucionale, shoqërore dhe ekonomike në Kosovë.

Pra, Kuvendi i Republikës së Kosovës, është organi më i lartë politik, përfaqësues dhe legjislativ. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta mësojë këtë dhe ta respektojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë tutje?

ALBIN KURTI
Shpresojmë që Qeveria e Republikës së Kosovës e ka kuptuar që nuk mund të vazhdojë me mënyrën e vjetër të qeverisjes, përkatësisht, keq-qeverisjes në Kosovë dhe rrjedhimisht do të fillojë me zbatimin e reciprocitetit të plotë, ashtu siç e thotë vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, natyrisht që edhe protesta e 22 janarit, e paralajmëruar nga ne, nuk do të mbahet. Përndryshe, neve nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të vazhdojmë me protestat tona paqësore dhe, natyrisht, edhe me mjetet institucionale në sistemin shtetëror të Kosovës, në mënyrë që t’ia kthejmë dinjitetin Kuvendit të Kosovës, ta mbrojmë shtetin prej pushtetit.
XS
SM
MD
LG