Ndërlidhjet

Karshi reagimeve në vend, tri ditë pas protestës së Lëvizjes Vetëvendosje, me qëllim bllokimin e pikave kufitare në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë, vazhduan reagimet edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Diplomatët evropianë thanë se aksioni i së shtunës ishte “një provokim i organizuar nga Albin Kurti, gjatë të cilit janë manipuluar vetw demonstruesit”.

Një vlerësim të tillë ia dha Radios Evropa e Lirë, zëvendëspresidenti i delegacionit evropian për marrëdhëniet ndërmjet pesë shteteve të rajonit, Jelko Kacin.

Ai tha se ngjarjet në fjalë u ngjanin atyre që ndodhën para disa muajsh në veri të Kosovës, ku nga serbët protestues bllokuan rrugët kryesore në atë pjesë të vendit.

Protesta me moton “Serbia nuk kalon”, sipas Kacinit, promovon bllokimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve dhe se është në kundërshtim me vlerat evropiane.

“Kjo ishte një demonstratë që promovon izolimin e Kosovës, me të cilën synohej çorientimi i Kosovës nga përpjekjet për integrim evropian”, theksoi Kacin.

I pyetur nëse, vërtet, mund të tërhiqet një paralele ndërmjet gjendjes në veri të Kosovës, ku situata ka mbetur peng i politikës që nga paslufta, dhe asaj që ndodhi të shtunën, Kacin u shpreh:

“Nuk dua të tërheq ndonjë paralele. Vetëm dua të sqaroj se si mund të shihet kjo. Natyrisht se jam elokuent kur them se kjo ishte kontra-produktive, sikurse për Kosovën, ashtu dhe për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen”.

Kacin shtoi se aksioni i së shtunës lë përshtypjen e solidarizimit të Vetëvendosjes me barrikaduesit serbë në veri të vendit.

Por, vetë lideri i Vetëvendosjes, Kurti, tha në një intervistë dhënë gjatë ditës Radios Evropa e Lirë se Vetëvendosja nuk është kundër parimeve të Bashkimit Evropian dhe se konsideron se reciprociteti është parim dhe vlerë e Bashkimit Evropian.

Kacin tha ekziston një diskrepancë ndërmjet deklaratave dhe veprimeve të Kurtit dhe se me aksionin në fjalë synohej bllokimi i tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Jelko Kacin

Jelko Kacin


“Kjo është në kundërshtim me dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Ne po përpiqemi ta bindim Beogradin dhe Serbinë të promovojë tregtinë me Kosovën, të heqë dorë nga bllokimi i Kosovës në forume ndërkombëtare. Por, ai (Albin Kurti) po e bën të njëjtën gjë - ka një diskrepancë të madhe ndërmjet deklaratave të tij dhe demonstratave të tij”, vlerësoi Kacin.

Protestat te Dheu i Bardhë dhe diku pesë kilometra në afërsi të pikës kufitare në Merdarë, u shpërndanë gjatë fundjavës pas ndërhyrjes së njësiteve speciale të Policisë së Kosovës. Me mbi 140 të arrestuar dhe me dhjetëra të lënduar rezultoi e tërë ngjarja.

Pavarësisht përplasjeve deklarative me autoritetet kosovare rreth përdorimit të forcës atë ditë, Vetëvendosje tha se nuk do të zmbrapset nga qëllimi për të shtyrë përpara zbatimin e mocionit për reciprocitet politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë, të miratuar më 7 dhjetor nga Kuvendi i Kosovës.

Anëtarët e kësaj lëvizjeje paralajmëruan një aksion të ngjashëm me atë të së shtunës, i cili pritet të mbahet më 22 janar. Kacin sugjeroi që aksioni në fjalë të mos bëhet në Merdarë, por në kufirin me Shqipërinë, meqë “Kurti qenka pro vlerave evropiane dhe tregtisë”.

“Ai (Albin Kurti) ka thënë, po ju citoj juve, se është në favor të tregtisë. Andaj, nëse është kështu, le të nis kjo në ndonjë kufi tjetër e jo në kufirin me Serbinë”, u shpreh Kacin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG