Ndërlidhjet

"Skënderbeu" në Shkup


Inaugurimi për ndërtimin e sheshit "Skënderbeu", Shkup

Inaugurimi për ndërtimin e sheshit "Skënderbeu", Shkup

Aktivitetet për shënimin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar të martën në Maqedoni kanë filluar me vendosjen e gur-themelit të ndërtimit të sheshit "Skënderbeu" në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, organizuar nga komuna e Çairit, ku ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zyrtarë të lartë të partisë shqiptare në pushtet, si dhe përfaqësues të institucioneve të larta arsimore dhe kulturore të vendit.

Me rastin e këtij evenimenti që shënon fillimin e bashkërendimit të festimit të shtetit shqiptar, kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, ka deklaruar se figura e Skënderbeut dhe idetë e tij edhe sot janë promotor të orientimit të shqiptarëve si komb kah Evropa.
Lulzim Basha dhe Ali Ahmeti.

Lulzim Basha dhe Ali Ahmeti.


“Për mua, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ka një simbolikë të veçantë emri i Skënderbeut, statuja e Skënderbeut i bën nder çdo qyteti evropian. Këtë e them pikërisht si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Pres që bashkëpunimi me Çairin në veçanti, dhe me Shkupin në tërësi, dhe të gjitha bashkitë e shqiptarëve këtu në Maqedoni, ta shtrijmë bashkëpunimin në rrafshe konkrete, nga i cili bashkëpunim do të përfitojnë motrat dhe vëllezërit tanë këtu në Maqedoni”, ka deklaruar Basha.

Edhe lideri i partisë shqiptare në pushtet, BDI, Ali Ahmeti, është shprehur se ndihet krenar për inaugurimin e sheshit "Skënderbeu', që llogaritet se do të jetë sheshi më i madh në rajon.

“Sot ne fillojmë edhe maratonën për të shënuar Ditën e Flamurit dhe Skënderbeut - është ditë që na e ka mbajtur gjallë shpirtin më shumë se 540 vjet dhe ky nëntor i dytë, është shumë i rëndësishëm si datë historike për ne shqiptarët”, ka thënë Ahmeti.

Nga ana tjetër, kryetari i opozitës shqiptare, Menduh Thaçi, partia e të cilit ka refuzuar aktivitetet e Këshillit Organizativ për shënimin e 100-vjetorit të Ditës së Flamurit, ka thënë se bëhet fjalë për një manifestim privat të partisë politike shqiptare në pushtetarët.
Lulzim Basha në Shkup...

Lulzim Basha në Shkup...


“Në mungesë të aktivitetit të vërtetë kombëtar brenda Maqedonisë për çka kanë marrë legjitimitetin të realizojnë të drejtat dhe kërkesat e shqiptarëve këtu, BDI-ja bën kompromise të këtilla. Unë jam në linjë të drejtpërdrejtë me Këshillin Qendror për shënimin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, me ministrin e Punëve të Jashtme zotin Haxhinasto dhe mendoj se shqiptarëve të Shqipërisë u takon të jenë shumë të lumtur për këtë 100-vjetor, kurse shqiptarët e Maqedonisë atë lumturi duhet ta kenë të përgjysmuar meqë ne kemi pasur 100 vjet vuajtje që ngelëm jashtë shtetit shqiptar”, ka deklaruar lideri i opozitës shqiptare, pas takimit të realizuar me kryebashkiakun e Tiranës.

Ndërtimi i sheshit "Skënderbeu", në zonën shqiptare të Shkupit, i cili konsiderohet si përgjigje ndaj sheshit "Shkupi 2014", nga analistët e vlerësohet se do të thellojë ndasitë mes dy etniteteve në vend.

Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike, vlerëson se ndërtimi i sheshit "Skënderbeu" është kompensim për të “ruajtur rehatinë e shtëpisë” pas ndërtimeve në anën tjetër të lumit Vardar, me ç’rast është përjashtuar kultura dhe e kaluara e shqiptarëve.

“Ndarjet janë më se evidente, do të thotë Qeveria, gjegjësisht partnerët e koalicionit ngrenë më vete shtatore dhe projekte historike. Kjo do të thotë se në një formë të caktuar institucionalizohen ndasitë mes dy etniteteve”, ka theksuar Dmovski.

Ndryshe, kohë më parë kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, kishte theksuar se sheshi 'Skënderbeu" nuk është pandan i projektit "Shkupi-2014", sepse në këtë shesh nuk është paraparë ngritja e përmendoreve pos asaj të Skënderbeut dhe ka për qëllim të krijojë qasje më të lirë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, si pjesë e rëndësishme kulturore e kryeqendrës.
XS
SM
MD
LG