Ndërlidhjet

logo-print

Jahjaga: 14 janari rrezikon ta kthejë Kosovën prapa


Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga


Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i ka cilësuar ngjarjet që pasuan protestën e Lëvizjes Vetëvendosje më 14 janar 2012, si pamje jo të mirë dhe jo reale për Kosovën.

Në një komunikatë për opinion, Jahjaga ka vlerësuar se “një situatë e tillë që po ndodh në kohën e hapjes së proceseve të reja integruese të vendit rrezikon ta kthejë Kosovën prapa, në përpjekjen e saj për të ndërtuar shoqërinë demokratike.

Duke rikujtuar qëndrimin e saj se nuk janë shterur të gjitha mundësitë e veprimeve institucionale, zonja Jahjaga ka ritheksuar se rruga nuk paraqet zgjidhje për arritjen e qëllimeve dhe synimeve politike e shtetërore.

“Të gjitha institucionet, të gjitha subjektet politike dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë të obliguar të respektojnë dhe të zbatojnë plotësisht Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë për ruajtjen e qetësisë publike dhe për sigurimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave, vlera këto evropiane që garantohen edhe me Kushtetutën e Kosovës, ka thënë presidentja, e cila njëkohësisht ka mirëpritur “thirrjen e Qeverisë së Kosovës për vlerësimin e veprimeve të Policisë së Kosovës në ditën e protestës që do të mundësojë qartësimin e situatës së krijuar”.

Ajo u ka bërë thirrje subjekteve politike që të kërkojnë zgjidhje brenda institucioneve të Kosovës dhe me dialog, kurse Lëvizjes Vetëvendosje, presidentja Jahjaga “që të heqë dorë nga protestat dhe t’i kthehet punës, debatit dhe procesit të vendimmarrjes në Kuvend dhe aty të kontribuojë në hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e politikave”.

“Kosova e ka të qartë rrugën e vet përpara duke i përmbushur obligimet e veta që dalin nga marrëveshjet dhe konventat ndërkombëtare. Vendi ynë është përkushtuar të zbatojë politikën e fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajoni”, thuhet mes tjerash në komunikatën e lëshuar nga kabineti i presidentes. (a.v.)
XS
SM
MD
LG