Ndërlidhjet

BB parasheh rreziqe të reja


Vendet në zhvillim duhet të përgatiten për rreziqe të reja, në kohën kur problemet e borxhit në Eurozonë dhe rritjet e dobëta në disa ekonomi në zhvillim po zbehin perspektivat e rritjes globale, thuhet në raportin e ri të Bankës Botërore “Perspektivat Globale Ekonomike për Vitin 2012”.

Banka ka ulur parashikimin e saj të rritjes për vitin 2012 në 5.4 për qind për vendet në zhvillim dhe në 1.4 për qind për vendet me të ardhura të mëdha, nga parashikimet e qershorit të kaluar që ishin 6.2 për qind, respektivisht 2.7 për qind.

Në kuadër të parashikimeve të reja është përfshirë edhe Kosova. Sipas raportit, ato flasin për rënie të bruto-prodhimit vendor në 3.9 për qind në 2012-ën dhe 3.6 për qind në 2013-ën nga 6.3 për qind sa ishte në vitin paraprak.
Rritja e ngadalshme tashmë vihet re në tregun e dobësuar global, ashtu si edhe në çmimet e mallrave, thuhet në raport.

Eksportet globale të mallrave dhe shërbimeve janë zgjeruar në 6.6 për qind gjatë 2011-ës, çfarë paraqet rënie të dukshme nga 2010-ta, kur ishin 12.4 për qind. Gjatë këtij viti ato pritet të rriten vetëm në 4.7 për qind.

Sipas raportit të Bankës Botërore, çmimet globale të energjisë, metaleve dhe mineraleve, si dhe të produkteve bujqësore kanë rënë për 10, 25 dhe 19 për qind që nga fillimi i 2011-ës.

Çmimet në rënie të mallrave kanë kontribuar në lehtësimin e inflacionit total në shumicën e vendeve në zhvillim. Por, edhe pse çmimet ndërkombëtare të ushqimeve janë liruar nën 14 për qind nga shkurti i 2011-ës, sigurimi i ushqimit për të varfrit, përfshirë popullatën në Horn të Afrikës, mbetet shqetësim kryesor.

Vendet në zhvillim duhet t’i vlerësojnë dobësitë e tyre dhe të përgatiten për goditje të mëtejshme, përderisa ka ende kohë”, ka thënë kryeekonomisti i Bankës Botërore, Xhastin Jifu Lin.

Vendet në zhvillim duhet t’i vlerësojnë dobësitë e tyre dhe të përgatiten për goditje të mëtejshme, përderisa ka ende kohë.
Raporti i këtij institucioni po ashtu thekson se vendet në zhvillim kanë më pak hapësirë fiskale dhe monetare për masa përmirësuese, sesa në periudhën 2008/2009.

Si rezultat, aftësia e tyre për përgjigje mund të kufizohet nëse financat ndërkombëtare shteren dhe kushtet globale përkeqësohen ndjeshëm.

Për t’u përgatitur për këtë mundësi, drejtori për Zhvillim dhe Perspektivë në Bankën Botërore, Hans Timer, ka thënë:

Vendet në zhvillim duhet t’i para-financojnë deficitet buxhetore, të caktojnë prioritetet e shpenzimeve në rrjetet e sigurisë sociale dhe në infrastrukturë dhe të testojnë bankat e vendit”.

Derisa perspektivat në shumicën e vendeve me të ardhura të vogla dhe të mesme mbeten të favorshme, efektet gurgullimë të krizës në vendet me të ardhura të mëdha po vihen re në gjithë botën.

Menaxheri i Makro-ekonomisë globale dhe autor kryesor i raportit të ri, Endrju Bërns, ka paralajmëruar se një përshkallëzim i krizës nuk do të kursente askënd.

Vlerat e rritjes së vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim mund të bien më shumë se në periudhën 2008/2009”, ka thënë Bërns.(v.t.)
XS
SM
MD
LG