Ndërlidhjet

Riker u takua me presidentin maqedonas, Gjorgje Ivanov


Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Filip Riker sot dhe nesër qëndron në Maqedoni, në kuadër të vizitës së tij në rajon.

Riker dhe ambasadori amerikan në Shkup, Pol Uollers gjatë paradites kanë realizuar takim me presidentin Gjorge Ivanov, dhe liderin e opozitës maqedonase, të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Branko Cërvenkoski.

Presidenti Ivanov ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me moszgjidhjen e kontestit të emrit, duke drejtuar vërejtje ndaj palës greke.

"Shqetësimet lidhur me zhvillimet e situatës ndërlidhen me mungesën e vullnetit të palës greke për tu angazhuar seriozisht në tejkalimin e kontestit të emrit. Problemet objektive politike dhe ekonomike me të cilat ballafaqohet Greqia nuk duhet të arsyetohen me shmangien nga nismat për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët për kontestin e emrit", ka thënë Ivanov, njofton presidenca e Maqedonisë përmes një komunikate për shtyp.

Ndërkohë, bëhet e ditur se zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Filip Riker, gjatë qëndrimit dy ditor në Maqedoni do të takohet edhe me kryeministrin Nikolla Gruevski, zëvendëskryeministren Teuta Arifi, ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Besimi dhe me liderin e partisë shqiptare në pushtet, BDI, Ali Ahmeti

Gjatë qëndrimit në rajon, Riker paraprakisht qëndroi në Kosovë, e gjithashtu pritet të vizitojë edhe Serbinë dhe Turqinë.
XS
SM
MD
LG