Ndërlidhjet

Mazhoranca ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që do të hetojë veprimtarinë e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.

Në Komisionin Parlamentar të ligjeve përfaqësues të saj mbështesin pretendimin se Spahiu ka shkelur Kushtetutën gjatë ushtrimit të kësaj detyre dhe nëse komisioni vërteton këtë akuzë, do të kërkohet shkarkimi i tij.

Por, vendimit për ngritjen e Komisionit hetimor, i parapriu një debat i ashpër ndërmjet kryetarit të Komisionit të ligjeve, Ilir Rusmali, dhe nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu.

“Në asnjë rast nuk parashikohet shkarkimi i zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por edhe i anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në nenet e Kushtetutës parashikohen shkarkimet e të gjithë drejtuesve të institucioneve shqiptare...”, thotë Spahiu, por fjalën e tij dëgjohet si e ndërpret Ilir Rusmali që i drejtohet Spahiut me fjalët:

“Zoti Spahiu, mbledhjet e këtij komisioni i drejtoj unë”.

“Kjo seancë nuk është për të të bërë gjyqin - kjo seancë është seancë procedurale, prandaj të lutem shumë, të kam shkruar në letër që ti nuk futesh në këtë seancë në substancën e gjësë, kam shumë për të thënë unë për substancën e gjësë, por mbaj gojën mbyllur se respektoj rregullat dhe pronën”, shprehet Rusmali.


Debati degjeneroi deri në largimin nga Komisioni të Kreshnik Spahiut.


“Të lutem, respekto të drejtën e fjalës...”, thotë Spahiu,

Ndërkohë që Rusmali kërkon pushim duke iu drejtuar Kreshnik Spahiut me fjalët:

“Kërkohen 5 minuta pushim sa të largohet pak zoti Spahiu...Largohu!”.

Komisioni i ligjeve vendosi vetëm me votat e mazhorancës të ngrejë Komisionin hetimor, për vënien në funksion të të cilit duhet të vendosë përfundimisht Parlamenti.

Opozita e deklaroi qëndrimin e saj kundër që në Komisionin e ligjeve, nëpërmjet deputetit të saj, Fatmir Xhafa.

“Ne do të ishim me ju sot këtu, do të pranonim të bënim një Komision hetimor me ju nëse ju do të kërkonit të identifikojmë gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ne nuk und të jemi pjesë e kësaj farse nuk mund të jemi pjesë e interesave të sotme e të nesërme politike”, tha Xhafaj.

Ky vendim në Komisionin e ligjeve, pason deklarimin e kryeministrit Berisha në fillim javës. Ai tha se nisja e procedurave për shkarkimin e Kreshnik Spahiut vjen për shkak të përdorimit politik që po i bën ai institucionit të KLD-së, duke iu referuar ndër të tjera dhe Aleancës Kuq e Zi që drejton Spahiu.

Madje, Berisha shkoi më tej duke deklaruar se pas gjithë kësaj loje me institucionet e pavarura qëndron presidenti i Republikës.

Por, shkarkimi i Spahiut nga detyra e nënkryetarit të KLD-së duhet të tejkalojë dhe një ngërç ligjoro-kushtetues. Ai është zgjedhur nga Parlamenti si anëtar i KLD-së dhe si nënkryetar është emëruar nga presidenti i Republikës që sipas Kushtetutës është kryetar i këtij institucioni. Kjo sipas juristëve mund të kërkojë një bashkëpunim mes Parlamentit dhe presidentit, në një vendimmarrje për shkarkim.
XS
SM
MD
LG