Ndërlidhjet

Riker Maqedonisë: Zgjidh kontestin e emrit!


Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker, ka qëndruar sot në Shkup, ku pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, u ka dhënë maqedonasve porosi të qartë: “Të zgjidhet çështja e emrit dhe më pas vjen NATO-ja”.

I pyetur nga gazetarët nëse Maqedonia është ose jo në agjendën e samitit të radhës së NATO-s, Riker ka deklaruar se kjo varet nga aktivitetet e autoriteteve të Maqedonisë, nëse do të shënojnë progres në zgjidhjen e kontestit me Greqinë.

“Maqedonia është në agjendën e NATO-s tanimë kohë të gjatë. Siç e dini, në Bukuresht, është thënë qartë se Maqedonia do të marrë ftesë për t’u anëtarësuar në Aleancë, posa dy vendet fqinje (Maqedonia dhe Greqia) të arrijnë ujdi për të tejkaluar dallimet rreth kontestit për çështjen e emrit”, ka deklaruar Riker.

Sipas Athinës zyrtare, emri i Maqedonisë përkon me emrin e rajonit që ndodhet në Greqinë veriore, andaj edhe komuniteti ndërkombëtar ka krijuar një emër të përkohshëm për të që është: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë apo IRJM.

Gjatë qëndrimit në Shkup, Riker është takuar dhe me presidentin e këtij vendi, shefin e diplomacisë maqedonase, si dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë.

Vizita e Rikerit në Maqedoni pason qëndrimin e tij në Kosovë.
XS
SM
MD
LG