Ndërlidhjet

Riker Maqedonisë: Zgjidh kontestin e emrit!


Filip Riker dhe Nikolla Gruevski

Filip Riker dhe Nikolla Gruevski


Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker, ka qëndruar të mërkurën në Shkup, ku pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, u ka dhënë maqedonasve porosi të qartë: “Të zgjidhet çështja e emrit dhe më pas vjen NATO-ja”.

I pyetur nga gazetarët nëse Maqedonia është ose jo në agjendën e samitit të radhës së NATO-s, Riker ka deklaruar se kjo varet nga aktivitetet e autoriteteve të Maqedonisë, nëse do të shënojnë progres në zgjidhjen e kontestit me Greqinë.

Filip Riker dhe Nikolla Gruevski

Filip Riker dhe Nikolla Gruevski

“Maqedonia është në agjendën e NATO-s tanimë kohë të gjatë. Siç e dini, në Bukuresht, është thënë qartë se Maqedonia do të marrë ftesë për t’u anëtarësuar në Aleancë, posa dy vendet fqinje (Maqedonia dhe Greqia) të arrijnë ujdi për të tejkaluar dallimet rreth kontestit për çështjen e emrit”, ka deklaruar Riker.

Zyrtari i lartë amerikan vlerëson se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë është mundësi e mirë që të intensifikohen përpjekjet që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët, Maqedoninë dhe Greqinë.

Riker, gjithashtu, ka përshëndetur takimet e ndërmjetësuesit Metju Nimic me përfaqësuesit e dy vendeve në Nju Jork.

Ai ka sqaruar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë funksionon sipas rregullave të veta dhe, nga ana tjetër, Aleanca funksionon në bazë të parimit të arritjes së konsensusit për çka dhe obligohen anëtarët menjëherë pas anëtarësimit në NATO, ka deklaruar zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker.

“Do ta përsëris edhe një herë, konsensusi është ai që NATO-n e bën organizatë të suksesshme dhe me ndikim siç është. Sot vendet e rajonit e përfaqësojnë veten, gjithashtu kanë edhe mundësinë që të përcaktojnë rrugën e tyre, të punojnë dhe të negociojnë. NATO-ja i ka lënë të hapura dyert e saj, OKBja e mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe kjo është ajo që ne e dëshirojmë”, ka deklaruar Riker.

Ai ka njoftuar se gjatë takimit me zyrtarët e lartë shtetërorë të vendit ka biseduar edhe për rëndësinë e lirisë së mediave dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Gjatë qëndrimit në Shkup, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit është takuar dhe me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, zëvendëskryeministren për çështje të Integrimeve, Teuta Arifi , shefin e diplomacisë maqedonase, Nikolla Popovski , ministrin e Mbrojtjes Fatmir Besimi, dhe liderët e partive politike - Lidhjes Social-Demokrate në opozitë, Branko Cërvenkovski, dhe atë të BDI-së, Ali Ahmeti.

Vizita e Rikerit në Maqedoni pason qëndrimin e tij në Kosovë.
XS
SM
MD
LG