Ndërlidhjet

Irani thotë se ka marrë letër nga Obama


Presidenti amerikan, Barak Obama, i ka shkruar "letër sekrete" liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamnej, ka deklaruar deputeti i Parlamentit iranian, Ali Motahari.

Sipas këtij të fundit, kreu amerikan ka bërë thirrje për bisedime direkte ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, ndërsa ka paralajmëruar Teheranin kundër mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.

Irani ka kërcënuar se, për shkak të sanksioneve të ashpra amerikane në lidhje me programin e tij bërthamor, do të mbyllë ngushticën në fjalë - një rrugë kjo e rëndësishme e naftës botërore në Gjirin Persik.

Motahari ka zbuluar përmbajtjen e letrës disa ditë pasi administrata e Obamës ka thënë se ka paralajmëruar Iranin përmes kanaleve publike dhe private, se është kundër çdo veprimi që kërcënon trafikun e naftës.

"Në letër, Obama bën thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me Iranin. Thuhet se mbyllja e ngushticës për Uashingtonin do të thotë linjë e kuqe. Në pjesën e parë të letrës ka kërcënime, në pjesën e dytë ofrohet dialog", transmeton agjencia Fars deklaratën e Motaharit.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dashur të konfirmojë dërgimin e letrës.
XS
SM
MD
LG